Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar një paketë të re masash mbështetëse me vlerë 500 milionë euro, e financuar nga një suficit buxhetor më i lartë se sa pritej, në përpjekje për të lehtësuar barrën e familjeve nga rritja e kostos së jetesës.
Mitsotakis pranoi se familjet vijojnë të përballen me presione të forta ekonomike, përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburantit dhe kostot e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit.
Paketa e re përfshin zgjatjen e subvencioneve për naftën dizel me 20 cent për litër gjatë muajit maj, si dhe vijimin e mbështetjes për fermerët me subvencionimin e 15% të kostos së plehrave deri në gusht.
Një tjetër masë parashikon një pagesë emergjente prej 150 eurosh për çdo fëmijë, që do të shpërndahet në fund të qershorit pa nevojë aplikimi, duke përfituar rreth 1 milion familje.
Ndërkohë, pensionistët me të ardhura të ulëta, qytetarët e pasiguruar dhe personat me aftësi të kufizuara do të marrin 300 euro në vit, një pagesë që do të bëhet e përhershme dhe do të jepet çdo nëntor, duke përfshirë rreth 1.9 milion përfitues.
Masat përfshijnë gjithashtu lehtësira për qiratë, rregullime më fleksibël për borxhet dhe zgjerimin e skemave të shlyerjes jashtë gjykatës për mijëra qytetarë.
“Çdo sukses kolektiv duhet të përkthehet në mirëqenie individuale”, u shpreh Mitsotakis, duke e cilësuar paketën si një “dividend progresi” që rikthehet nga shteti tek qytetarët, ndërsa theksoi se ndërhyrjet janë hartuar pa cenuar stabilitetin fiskal të vendit.
