Një incident i rëndë dhune është regjistruar në Patra, Greqi, ku një 56-vjeçar është sulmuar brutalisht pasi refuzoi t’i jepte para një personi që e njihte vetëm si fqinj.

Sipas deklarimeve të viktimës për televizionin MEGA TV, konflikti nisi kur autori iu paraqit në banesë duke i kërkuar fillimisht 5 euro për një taksi. Më pas, kërkesa është rritur në 20 euro, të cilat viktima i ka refuzuar.

“Nuk kam më para”, ka thënë 56-vjeçari, duke shtuar se pas refuzimit, autori nuk është larguar, por ka hyrë me forcë në banesë. Sipas tij, agresori ka marrë një tabletë nga shtëpia dhe më pas e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe gjoks. Në atë moment, në vendngjarje ka ndërhyrë policia, e cila ka arrestuar autorin dhe ka thirrur shërbimet mjekësore.

I plagosuri është dërguar në spitalin Agios Andreas Hospital, ku ka marrë trajtim mjekësor dhe qepje për plagët e marra.

Hetimet e policisë kanë zbuluar se i dyshuari është i lidhur edhe me një grabitje të ndodhur disa ditë më parë në një sallë lojërash fati në qendër të Patras, ku dyshohet se ka marrë rreth 1,800 euro. Ndaj tij janë ngritur akuza për grabitje dhe vjedhje. Autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: