Autoritetet po hetojnë rrethanat e rënies së një 30-vjeçareje nga kati i katërt i një pallati në qendër të qytetit, pas një takimi të organizuar përmes një aplikacioni takimesh me një shtetas italian.
Sipas raportimeve të mediave greke, gruaja ishte takuar fillimisht me 45-vjeçarin italian në një kafene, përpara se të shkonin së bashku në apartamentin e marrë me qira prej tij.
Dyshohet se të dy kishin konsumuar alkool gjatë takimit, ndërsa më pas burri ka vendosur të ndërpresë takimin dhe e ka nxjerrë jashtë gruan. Hetimet e policisë, të bazuara në pamjet e kamerave të sigurisë të analizuara në detaje, tregojnë se 30-vjeçarja ka qëndruar jashtë derës së apartamentit duke bërtitur dhe duke kërkuar të hyjë sërish.
Në një moment, ajo është parë duke u ngjitur në shkallë drejt katit të katërt, ku më pas ka ndodhur incidenti, pasi një dritare është thyer dhe ajo ka rënë në boshllëk.
Pamjet dhe dëshmitë e mbledhura, së bashku me deklarimet e 45-vjeçarit, kanë çuar autoritetet në përfundimin paraprak se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale.
Prokurori ka vendosur lirimin e shtetasit italian, pasi nuk janë gjetur prova që e implikojnë atë në rënien e gruas, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
