Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gazë njoftoi se të paktën 40 persona humbën jetën të hënën nga sulmet ajrore izraelite në të gjithë territorin palestinez, i cili ndodhet nën një bllokadë të ndihmave humanitare që ka zgjatur për më shumë se 50 ditë.
Operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës rifilluan më 18 mars, pasi një armëpushim që kishte sjellë një pauzë prej dy muajsh në luftimet u shemb për shkak të mosmarrëveshjeve mes Izraelit dhe Hamasit – grup i cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Ky grup ishte përgjegjës për sulmin që çoi në shpërthimin e konfliktit në vitin 2023.
Sipas zyrtarit të mbrojtjes civile Mohammed al-Mughayyir, që prej mëngjesit të së hënës janë regjistruar 40 viktima. Ndër to ishin edhe tetë anëtarë të familjes Abu Mahadi, që u vranë në Jabalia, në veri të Gazës, kur një sulm izraelit goditi banesën e tyre.
“Ata ishin në gjumë, të sigurt në shtëpitë e tyre, kur raketat i goditën… pamja ishte tronditëse”, tregoi Abdul Majeed Abu Mahadi, 67 vjeç, i cili humbi vëllain e tij në këtë ngjarje tragjike.
“Po të shihje atë skenë, do shihje fëmijë, gra dhe pleq të masakruar… zemra të çahet. Por çfarë mund të bëjmë?”, përfundoi ai.