Akademiku i njohur Artan Fuga ka qenë i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ku ka komentuar deklaratën e dhënë  për Deutsche Welle nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez, e cila konfirmoi se BE po ndjek me vëmendje njoftimet mbi incidentin në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

“Presim një hetim të plotë nga autoritetet përkatëse shqiptare, i cili tashmë ka nisur. Para së gjithash, dy ushtarëve shqiptarë të plagosur i urojmë shërim të shpejtë. Shqipëria dhe BE kanë një partneritet të ngushtë për çështjet e sigurisë”, tha Pisonero-Hernandez vetëm një ditë para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së në Pragë.

Sipas medias gjermane në këtë takim, pritet të diskutohet arrestimi nga Policia e Shtetit të dy rusëve, një ukrainas dhe katër çekë që donin të fotografonin dy uzinat e armëve në Shqipëri, dhe sipas Fugës, kjo tregon se BE mund të posedojë më shumë informacion sesa është shfaqur në media për ngjarjet.

“Nuk e di se çfarë ka brenda atyre uzinave, se çfarë përbën sekret atje. Shikoj pak një kontradiktë në këtë që po shohim. Nga njëra anë përfaqësuesja e Komisionit Europian thotë ne presim hetim të thellë, ndërkohë mblidhen Ministrat e Jashtëm për të diskutuar për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Nuk e di ndoshta ka informacion që nuk i vjen publikut shqiptar, por i shkon BE-së. Unë mendoj se Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk mblidhen kot, nëse mblidhen ata kanë informacione të cilat janë serioze. Ka pafund turistë që hyjnë nga vende të ndryshme, dua të di nëse janë të organizuar apo jo. Mund të jenë aventurierë që bëjnë fotografi dhe i shesin se ka plot nga këta në botë”, tha Fuga.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb