Kievi është goditur nga një tjetër valë e fuqishme sulmesh ajrore gjatë natës, teksa Rusia ka ndërmarrë atë që e përshkruan si një “sulm masiv” ndaj objektivave ushtarake në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi ashpër pas sulmeve, duke i cilësuar ato si “çmenduri”, ndërsa në terren janë raportuar shpërthime të shumta dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të kryeqytetit dhe rajoneve përreth.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, sulmi është kryer duke përdorur një gamë të gjerë armësh, përfshirë sistemin hipersonik “Oreshnik”, raketat balistike “Iskander”, raketat hipersonike “Kinzhal” dhe “Zircon”, si dhe dronë sulmi dhe raketa të lëshuara nga ajri, deti dhe toka. Moska deklaron se objektiv i goditjeve kanë qenë komandat ushtarake, bazat ajrore dhe industria e mbrojtjes në Ukrainë, duke theksuar se “nuk janë shënjestruar objektiva civile”.

“Kjo është vërtet çmenduri”, u shpreh Zelensky, duke dënuar intensitetin e sulmeve dhe pasojat e tyre në terren.

Nga ana tjetër, Kremlini e ka justifikuar operacionin si përgjigje ndaj një sulmi me dronë ukrainas ndaj një konvikti në rajonin e Luhanskut, ku sipas autoriteteve të instaluara nga Rusia u vranë 21 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar më herët Ministrinë e Mbrojtjes të propozojë masa hakmarrëse, duke e cilësuar sulmin si “akt terrorist”.

Autoritetet në rajonin e Luhanskut shpallën ditë zie, ndërsa e përshkruan ngjarjen si një “tragjedi të rëndë” dhe premtuan ndëshkim për përgjegjësit.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb