Simon Miraka ish-anëtari i Autoritetit të Dosjeve i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 foli për sulmin ndaj ish-kryeministrit Berisha ditën e protestës së opozitës.

Sipas tij Berisha arriti ta menaxhonte situatën me gjakftohtësi dhe se pa ndërhyrjen e tij te protestuesit, protesta e opozitës do të agravonte më tej.

Miraka shtoi se përplasjet verbale në parlament dhe në publik mes politikanëve, ku përmendi edhe rastin e kryeministrit me një “fjalor të paimagjinueshëm ndaj opozitës” sipas tij janë veprime që reflektohen te populli.

“Ishte një incident që ndodh pas 32 vitesh demokraci. Jemi në shekullin e 21-të, në një botë moderne dhe për fat të keq një pjesë e jona e shohin si një zgjidhje të problemeve dhunën. Ajo që më bëri përshtypje përveç goditjes, Berisha u paraqit si një lider i vërtetë i cili nuk e humbi kontrollin e vetes. Ai ndërhyri me gjakftohtësi për të ruajtur qetësinë, ajo thirrja për qetësi ndaj protestuesve e mbizotëroi situatën sepse gjërat mund të kishin agravuar. Me goditjen e Berishës nuk u godit vetëm figura e tij, por u godit e gjithë opozita dhe liria. Kjo është ajo që të shkakton dhimbje vërtetë. Ne jemi dëshmitarë të përplasjeve verbale gjithë këto kohë, por këto fyerje e përbuzje reflektojnë tek masa, si në rastin e fundit të kryeministrit me një fjalor të paimagjinueshëm ndaj opozitës. Opozita nuk duhet parë si armike, prandaj ndodhin këto situata të tilla. Është një gjest që tregon se një pjesë ende vijon me atë mendësinë e diktaturës që ka lënë rrënjë të thella për fat të keq.

Nëse vazhdohet me këtë ritëm Shqipëria rrezikohet shumë. Për fat të keq nuk u krijua asnjëherë një tryezë e rrumbullakët mes partive të ndryshme në vend. Në rast se ata ballafaqohen me fyerje e sharje ajo reflektohet te njerëzit të cilët nuk janë në nivelin e tyre dhe kemi këto ngjarje të shëmtuara. Berisha gjithë kohës ka thënë që ndryshimi duhet të vijë përmes votës dhe ka bërë thirrje për mbrojtjen e votës së lirë. Vota është ajo që i rrëzon apo i jep vazhdimësi qeverisë, kjo lloj edukate duhet të depërtojë te njerëzit. Vota ka probleme por nuk duhet të hiqet dorë nga vota e lirë. Nëse ajo mbështetet te njerëzit e fortë do duhet të qeverisësh me këta njerëz”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: