Një atentat i mirëorganizuar, pasi autorët kanë studiuar të gjitha lëvizjet e prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, i cili mbeti i plagosur pasi mjeti me të cilën udhëtonte u sulmua me breshëri plumbash. Ky ka qenë përfundimi i ekspertëve të kriminalistikës që ndodhen në vendin e ngjarjes.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se autorët kanë pasur informacione të detajuara mbi lëvizjen e prokurorit, pasi kanë sulmuar pikërisht në një vend ku nuk ka pasur kamera sigurie.

Po ashtu Lala bëri me dije se ndaj makinës tip ‘Benz’ AA 333 ZD është qëlluar me breshëri automatiku model 56, nga një distancë rreth 30 metrash. Mes të tjerash gazetarja bën me dije se qëllimi i agresorëve ka qenë ekzekutimi i personave që ndodheshin në mjet, duke marrë shkas edhe nga fakti se mjeti është qëlluar nga pas.

Ndërkohë që shoferi mund të ketë kuptuar se një mjet do t’i sulmonte pasi ka devijuar nga rruga. Përveç Ndojit, në atentat u plagosën edhe shoferi i tij, Andi Maloku dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi. Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët janë bërë dëshmitarë të ngjarjes, ndërkohë që nuk dihet asgjë për autorët.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb