SHBA- I dyshuari, i cili u arrestua pas përpjekjes për sulm terrorist të hënën në Nju Jork, tha se veprimi i tij ka qenë hakmarrje për sulmet e SHBA-së ndaj grupit militant Shteti Islamik, raporton media amerikane.

Akayed Ullah, 27 vjeç, Emigrant nga Bangladeshi, ka aktivizuar një bombë të lidhur për trupin e tij në Manhatan, duke plagosur veten dhe tre persona të tjerë. Incidenti ka ndodhur në një terminal autobusësh pranë sheshit “Times Square”.

Policia tha se Ullah e ka zgjedhur zonën për shkak të posterave për Krishtlindje.

Shtëpia e Bardhë tha se sulmi tregon “nevojën urgjente” për Kongresin që të reformojë sistemin e emigrimit në SHBA.

“Ky sulm nënvizon nevojën që Kongresi të punojë me presidentin në reformat e emigrimit, që rrisin sigurinë tonë kombëtare dhe sigurinë publike. Duhet t’i mbrojmë kufijtë tanë, duhet të sigurojmë që individët që hyjnë në vendin tonë, nuk vijnë këtu për t’i dëmtuar njerëzit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

“Ullah besohet se ka vepruar i vetëm në sulmin e së hënës”, tha kryetari i Nju Jorkut, Bill De Blasio.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb