TIRANE- Policia e Tiranës, Renea dhe FNSH-të arritën të arrestonin dje 4 prej grabitësve të 3.2 milion eurove të bankës BKT në Qafë-Kashar, falë bashkëpunimit të Fatjon Xhyliut.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për Balkanweb se aksioni për kapjen e 2 pjestarëve të bandës të shpallur në kërkim, njëri Admir Murataj dhe tjetri Admir Ç. është ende në vijim.

Mësohet se operacioni është zgjeruar sot edhe në Tiranë, Krujë, Fushë-Krujë dhe Tepelenë.

Gjatë natës policia ka gjetur edhe një sasi të konsiderueshme parash të vjedhura. Ndonëse ende e pakonfirmuar mendohet që të jenë gjetur rreth 2 milion euro të bankës së grabitur më 9 shkurt, ndërsa pjesa tjetër e parave dyshohet të jetë investuar në banesa e biznese, ndërsa një pjesë është humbur në bixhoz.

Pak më herët Dorjana Bezat raportoi për BalkanWeb se Admir Murataj, njëri nga të kërkuarit për grabitjen, dyshohet të jetë pjesë e bandës së Babgjyshëve i arratisur bashkë me Ilir Kupën nga burgu i Trikallës në 2013, ku vuante dënimin për grabitjen e një banke në Larisa. Ai është shoqëruar nga policia shqiptare kur u kap grupi i Babagjyshëve që drejtohej nga Ilir Kupa, por duke qenë se nuk kanë pasur prova të mjaftueshme e kanë lënë të lirë.

Në pranga përfunduan dje Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnjë e banues në Tiranë, ish­punonjës në SHPSF “Rogat”; Ditjon Memlikaj, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, ish­efektiv në Forcat Ushtarake; Neim Avdulaj, 28 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish­ushtar profesionist në Forcat Ushtarake të Zall­Herrit dhe Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: