Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, në një lidhje me News 24 u shpreh se burgu i Spaçit nuk ka kaluar një rikonstruksion të vërtetë, por i është bërë vetëm “makijazh”. Ajo theksoi mungesën e transparencës për gjendjen e këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë historike.

Godole u shpreh se, megjithëse në Spaç janë xhiruar disa filma dhe ka një vëmendje mediatike, shumë prej strukturave janë dëmtuar, madje hekurat janë shitur për skrap. Ajo nënvizoi se ky vend duhet të trajtohet si pjesë e kujtesës kolektive, duke e ruajtur si një monument kulture me vlerë historike dhe edukative.

Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë: Burgu i Spaçit nuk ka rikonstruksion, por është makijazh. Nuk ka transparencë për atë që ndodh në Spaç. Është shumë mirë që aty po zhvillohet një film, ta themi këtë. Në 10 vitet e fundit, janë xhiruar aty së paku 10 filma. Më vjen mirë që ka filma për Spaçin. Filmat për Spaçin janë të rëndësishëm. Një film për Aushvicin është vlerësuar jashtëzakonisht shumë. Shtetet serioze i kushtojnë rëndësi të veçantë mbrojtjes së këtyre institucioneve.

Është monument kulture i nivelit të dytë dhe çdokush mund të hyjë aty brenda. Një pjesë e madhe e hekurit ka shkuar për skrap. Aty ka pasur shumë ndërhyrje. Spaçi, Tepelena, Qafë Bari, Ballshi janë pjesë e kujtesës sonë kolektive, është e jona. Njësoj siç shikojmë kudo lapidarë të heronjve të Luftës Antifashiste, ashtu duhet të kujdesemi për këto godina. Në Tiranë, te Piramida shohim të rinj që hanë sullfaqe dhe nuk dinë asgjë për historikun e Piramidës. Kështu ndodh edhe me shtëpinë e diktatorit Hoxha.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb