Drejtoresha e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), Jonila Godole, ka reaguar në lidhje me transformimin që po i bëhet Vilës 31 në një hapësirë arti, hap që sipas saj mund të shihet si paradoksal për sa kohë ende nuk janë kthyer në muze burgjet dhe kampet ku vuajtën mijëra njerëz
Në një postim në rrjetet sociale, Godole shkruan se kjo mund të shihet si një aspekt intrigues, por që mund të përkthehet edhe si akt cinik në një kohë kur vendi ynë ende ka mbetur pas me ballafaqimin me të kaluarën e diktaturës.
“Prandaj, në vend të ngutit për të krijuar hapësira argëtuese dhe tërheqëse për artistët e huaj, autoritetet shqiptare duhet të tregojnë maturi dhe të gjejnë ekuilibrin e duhur: ta kthejnë historinë në një dialog të hapur publik, duke krijuar paralelisht muze e memoriale që edukojnë dhe ftojnë shoqërinë të reflektojë me sinqeritet për të kaluarën. Vetëm kështu do të shmangim kthimin e historisë në një inskenim sipërfaqësor dhe do t’i japim kujtesës historike vendin që meriton”, shkruan mes të tjerash Godole.
Postimi i plotë:
Në një vend ku ende nuk kemi kthyer në muze burgjet dhe kampet ku u kalbën për gjysëm shekulli mijëra njerëz, transformimi i Vilës 31, shtëpisë së ish-diktatorit, në një hapësirë arti tingëllon si një paradoks provokues.
Sigurisht, simbolika e kthimit të folesë ku gatuhej represioni në një vend lirie të artit dhe krijimit si kundërvënie e hijes së diktaturës, duket intriguese në pamje të parë.
Por a nuk mund të merret edhe si një akt cinik, në kushtet kur ende mungon ballafaqimi real me të shkuarën tonë të dhimbshme? Në Shqipëri, memorialet që dëshmojnë vuajtjen e viktimave të regjimit janë kaq pak, sa numërohen me gishtat e një dore. Përkundrazi, investimi i vazhdueshëm në vende të lidhura me persekutorët, veçanërisht në sy të ish të burgosurve politikë dhe të persekutuarve, perceptohet si një shmangie e qartë e detyrimit tonë moral ndaj tyre dhe kujtesës historike.
Shembujt ndërkombëtarë na tregojnë se si mund të trajtohet historia. Gjermania, për shembull, e ka kthyer “Berghof”, rezidencën e Hitlerit në Obersalzberg, në një qendër dokumentacioni historike që edukon vizitorët mbi krimet e nazizmit. Po ashtu, Franca i ka shenjuar hapësirat që lidhen me bashkëpunimin e regjimit të Vichy-së si vende muzeale që dokumentojnë historinë e errët të kohës.
Prandaj, në vend të ngutit për të krijuar hapësira argëtuese dhe tërheqëse për artistët e huaj, autoritetet shqiptare duhet të tregojnë maturi dhe të gjejnë ekuilibrin e duhur: ta kthejnë historinë në një dialog të hapur publik, duke krijuar paralelisht muze e memoriale që edukojnë dhe ftojnë shoqërinë të reflektojë me sinqeritet për të kaluarën. Vetëm kështu do të shmangim kthimin e historisë në një inskenim sipërfaqësor dhe do t’i japim kujtesës historike vendin që meriton.