Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto tha se Bashkimi Evropian duhet të bashkëpunojë me Turqinë për çështjen e refugjatëve, në të kundërtën BE-ja do të përballet me një problem serioz të sigurisë.

Në konferencën e përbashkët për media që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, Szijjarto tha se kanë zhvilluar një takim të frytshëm.

Szijjarto tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e fjalimit të mbajtur në takimin e ambasadorëve dhe vizitën që Çavuşoğlu zhvilloi në Hungari në këtë periudhë të vështirë në të cilën ndodhet bota. “Turqia luan një rol të rëndësishëm në botë dhe në rajonin e saj. Për këtë arsye ishte shumë e rëndësishme që ambasadorët tanë të dëgjonin nga ministri i Jashtëm turk prioritetet dhe planet e Turqisë”, shtoi Szijjarto.

Ai theksoi se Turqia luan një rol të rëndësishëm në sigurinë e BE-së. “Aktualisht në Turqi jetojnë mbi 4 milionë refugjatë. Nëse këta 4 milionë persona nisen nga Turqia drejt Evropës do të përjetojmë një problem të madh. Emigracioni i paligjshëm bart rreziqe të mëdha nga pikëpamja shëndetësore. Në kufirin Iran-Turqi dhe Siri-Turqi jeton një numër i madh refugjatësh dhe ne e dimë se nëse Turqia nuk i ruan kufijtë e saj edhe ata persona mund të vijnë këtu”, tha Szijjarto.

Szijjarto kërkoi nga zyrtarët e BE-së që në deklaratat dhe kritikat e tyre ndaj Turqisë të marrin në konsideratë këtë situatë. “Nëse Turqia nuk bashkëpunon me BE-në për çështjen e refugjatëve, BE-ja do të përballet me një situatë serioze të sigurisë”, tha ai.

Szijjarto vuri në dukje se marrëdhëniet Hungari-Turqi duhet të forcohen vazhdimisht dhe tërhoqi vëmendjen se vëllimi tregtar mes Turqisë dhe Hungarisë është rritur me 6 për qind, pavarësisht se në tregtinë botërore është shënuar rënie me 9 për qind.

Ministri hungarez shpjegoi se Turqia zhvillon 17 punime të vaksinës vendase kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se është e rëndësishme që edhe vendi i tij është përfshirë në punimet e fazës së 3-të të këtyre vaksinave.

Pasi potencoi se edhe çështja e furnizimit të energjisë ka gjithmonë një rëndësi për Evropën Qendrore, Szijjarto tha se si rezultat i punimeve të infrastrukturës që po kryen aktualisht Hungaria mund të marrë 6 miliardë metër kub gaz natyror nëpërmjet Turqisë duke filluar nga tetori 2021.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb