Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, zhvilluan një takim me rastin e publikimit të raportit mbi diskriminimin në vend, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Giulia Re dhe Andrea Rizo. Gjithashtu edhe Avokati Popullit dhe Komisioneri Kundër Diskriminimit
Në fjalën e saj hapëse, kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, e lidhi drejtpërdrejt fenomenin e diskriminimit me klimën politike dhe modelin e qeverisjes të ndërtuar ndër vite në Shqipëri. Ajo theksoi se vendi nuk përballet thjesht me raste të izoluara, por me pasojat e një kulture të ushqyer nga politika, ku përçarja dhe gjuha e ashpër janë kthyer në normë.
Sipas Tabakut, hendeku mes Shqipërisë së “raporteve” dhe Shqipërisë reale vjen pikërisht nga kjo klimë toksike, e cila ka depërtuar në çdo nivel të shoqërisë. “Ne kemi progres në letër, por stagnim në realitet,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se diskriminimi është një fenomen i përjetuar çdo ditë nga qytetarët dhe jo thjesht një konstatim teknik.
Deputetja demokrate argumentoi se për vite me radhë politika ka ndërtuar një model komunikimi dhe sjelljeje që ka normalizuar përçarjen dhe sulmin, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si shoqëria reagon. Sipas saj, kur politika përdor përçmimin si mjet, atëherë shoqëria e reflekton këtë në marrëdhëniet e saj të përditshme, duke krijuar një ambient ku diskriminimi bëhet i pranueshëm.
Në këtë kuadër, Tabaku e cilësoi diskriminimin si produkt të një modeli qeverisjeje që nuk promovon barazinë dhe dinjitetin, por shpeshherë favorizon ndarjen dhe përjashtimin. Ajo theksoi se mungesa e reagimit institucional dhe rënia e besimit tek shteti kanë kthyer këtë fenomen në një problem sistemik. “Kur qytetarët nuk besojnë tek institucionet, problemi nuk është më individual është sistemik,” deklaroi ajo.
Në përfundim, Tabaku e vendosi theksin tek përgjegjësia politike dhe institucionale për të ndryshuar këtë realitet, duke nënvizuar se integrimi europian nuk mund të ecë përpara në një klimë të tillë. Sipas saj, një shoqëri e drejtë dhe një proces i besueshëm integrimi kërkojnë jo vetëm ligje në letër, por një ndryshim real të kulturës politike dhe të mënyrës së qeverisjes, që vendos në qendër dinjitetin dhe mbrojtjen e qytetarëve.
