TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se kandidati i djathtë për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka pesë prioritete për kryeqytetin. E ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Tabaku theksoi se Kosova është konsultuar me grupe interesi për platformën e tij.

Teksa theksoi se kandidati, i cili përfaqëson të djathtët në Tiranë do nis ndryshimin nga gjerat e vogla, Tabaku pohoi se Kosova do ulë deri në masën 30 për qind taksën ndaj bizneseve.

“Kosova është mësuar të mendoj që nga gjerat e vogla, ku do bëjë dhe ndryshimet e mëdha. Ai e ka nisur nga jeta dhe problemet e gjithsecilit. Zoti Kosova do bëjë të pamundur uljen e taksave lokale deri në 30 për qind. Jo të gjithë do jetojnë dhe do blejnë shtëpi tek blloku, por do kenë mundësi të blejnë banesa në vende të tjera. Njerëzit janë zhgënjyer nga premtimet për vende pune. Ne do zbatojmë në realitet çdo gjë në lidhje me premtimin për punësim. Ne në vitin 2011 ndërmorëm fushatë për uljen e taksave. Ne kemi llogaritur deri në imtësi të gjitha investimet. Do kursejmë dhe zoti Kosova ka premtuar se do kursejë, pasi ai është menaxher prej 36 vitesh.”, tha Tabaku.

Nga ana tjetër, Tabaku nuk kurseu as ironitë për kandidatin e majtë, Erion Veliaj, ndërsa theksoi se ai ka numëruar dhe se sa puseta mungojnë në kryeqytet. “Qeveria mund të bllokojë shumë projekte, por bashkia sa lihet me grantin e vetë, nuk besoj se do kemi një kryeministër që të bllokojë atë. Ne kemi llogaritur qindarkën dhe premtimet që janë bërë janë realiste. Jo siç dëgjova kandidatin tjetër se ka numëruar se sa puseta i mungojnë Tiranën. Këto janë fjalë boshe.”, -pohoi Tabaku.
Tabaku theksoi se: “Vëmendja jonë është përqendruar në të gjithë qytetet e Shqipërisë, siç është Vlora, Shkodra, Fieri, etj.”.

Ligjvënësja e djathtë teksa u ndal tek dekriminalizimi, theksoi se kjo ka qenë nisme e Partisë Demokratike. “PD ka qenë ajo që e ka nisur dekriminalizimin jo vetëm për zgjedhjet lokale, ose për parlamentin, por për qeverisjen në përgjithësi. Kjo pasi është një çështje që ka prek të gjithëve. Janë pothuajse 55 raste në Policinë e Shtetit. Ndaj për këtë arsye rezoluta e Dhjetorit kërkonte që brenda 6 muajve të kishim një paketë të re me standarde.”, tha Jorida Tabaku.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: