TIRANË

Ish-deputetja e PD-së dhe kandidatja Jorida Tabaku tha në “Kjo Javë” në Neës24 se tërmeti dhe pandemia nxorën fytyrën e vërtetë të qeverisë.
E pyetur për menaxhimin nga qeveria të këtyre dy ngjarjeve, Tabaku tha se atje ku kanë prokuruar BE dhe donatorët gjërat kanë lëvizur, ndërkohë që ku është në dorën e qeverisë gjërat kanë ngelur pas.

“Patëm një konferencë donatorësh për procesin e rindërtimit dhe sot që flasim banorët janë në tenda. Ku kanë prokuruar nga BE dhe donatorët kanë lëvizur gjërat, ku është në dorën e qeverisë kanë ngelur pas. Ne duhej që në momentin e parë për pandeminë të merrnim masa drastike.
Duhej një reagim ndryshe. Ne bëmë disa propozime të cilat do t’i bënim njësoj dhe sikur të ishim në qeverisje. Njësoj do sillemi dhe në qeverisje nëse situata do vazhdojë të jetë e njëjtë”, tha Tabaku.

Sa i përket akuzave të kryeministrit Edi Rama për grumbullimet, ajo tha se nuk ka asnjë organizimi apo thirrje nga PD dhe se respektohen rregullat.


“Nuk ka asnjë takim të PD-së i cili nuk respekton ligjet, rregullat, masat. Takimet që ju shihni janë fryma e njerëzve që mblidhen, por asnjë nuk është me njoftim nga PD. Unë e kuptoj dëshpërimin e tij…Ka një kërkesë të jashtëzakonshme nga qytetarët për t’u dëgjuar dhe për të folur. Pavarësisht menaxhimit skandaloz të pandemisë, pavarësisht paaftësisë, asgjë nuk ka ndodhur nga ana e PD-së për të cenuar rregullat ose shëndetin. Mund t’i dëgjosh dhe njerëzit që thonë që virusi më i madh është Rama. Nga ana e PD kujdesi maksimal për të respektuar masat”, u shpreh Tabaku.

Sa i përket asaj që kërkojnë qytetarët, Tabaku tha se kërkesa më e madhe e tyre lidhet me legalizimet dhe e dyta të takohen me deputetët pas 25 prillit. “Puna e vërtetë nis pas 25 prillit dhe kjo është sfida më e madhe që PD do ketë. 8 vjetët e kaluar kanë qenë një model se si nuk duhet bërë politikë. Jam e re në politikë dhe jam këtu për të qëndruar për një kohë të gjatë, kam shumë për të dhënë. Marrëdhënia me votuesit duhet të jetë e para. Në këtë fushatë ka një mbështetje të elektoratit gri dhe të majtë”, u shpreh Tabaku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb