Dhjetëra mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Pekin pasi tajfuni Doxuri solli reshje rekord në kryeqytetin kinez, duke shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV.

Doxuri është një nga tajfunet më të fortë që ka goditur Kinën në vite dhe gjatë fundjavës shkaktoi përmbytje të mëdha në provincën jugore të Fujian, duke detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Shirat e dendur vazhdojnë të godasin Pekinin, si dhe provincat Hebei dhe Shanxi dhe qytetin e Tianjin.

Autoritetet lokale në kryeqytetin kinez po e mbajnë qytetin në alarmin e kuq, më i larti i vendosur nga autoritetet, ndërsa Stacioni Hidrologjik i Pekinit ka paralajmëruar për përmbytje më shumë shira dhe vërshime të lumenjve.

Më shumë se 31,000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre, ndërsa puna u pezullua në më shumë se 4,000 kantiere ndërtimi. Rreth 2000 ndërtesa u kontrolluan për dëmtime. Dy aeroportet e Pekinit anuluan më shumë se 180 fluturime mëngjesin e sotëm, ndërsa qindra të tjerë u vonuan.

Kompania hekurudhore dërgoi ushqim dhe ujë të pijshëm për pasagjerët që mbetën të bllokuar gjatë natës.

Në provincën veriore Hebei, një shofer është zhdukur pasi dy kamionë ranë nga një urë e shembur në qytetin Baoding dje, të dielën, ndërsa një pjesë e një ure hekurudhore në qytetin Shizhuang u përfshi nga ujërat e lumit, njoftuan mediat lokale.

Gjithashtu, ndërsa Doxuri largohet nga Kina, shërbimi i motit paralajmëron se tajfuni Kanun po i afrohet vendit dhe pritet të godasë zonat e tij bregdetare me popullsi të dendur këtë javë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb