Punëtorët e një kompanie private në Kosovë kanë nisur të hënën t’i bëjnë gati materialet për t’i eksportuar në Shqipëri.

Kjo kompani që merret me prodhimin e materialeve për dyer dhe dritare thuajse gjatë tërë javës eksporton produktet e saj në Shqipëri, raporton KTV.

Pronari i kompanisë, Besnik Krasniqi, bashkë me drejtuesit e kompanisë amë në Slloveni, janë të shqetësuar se qeveria shqiptare shumë shpejt do t’iu vendosë taksë të njëanshme prej 5 eurove për çdo hyrje në autostradë.

Ai ka thënë se vendimi i tillë shkakton probleme si për kompaninë e tij, ashtu edhe për shumë të tjera që lëvizin shpesh.

Nga ana tjetër, Instituti GAP ka vlerësuar se qeveritë duhet të bëjnë më shumë punë, për t’iu dhënë fund vendimeve të njëanshme dhe lejimit të zhvillimit të tregtisë pa shumë pengesa.

Sipas planeve të qeverisë shqiptare, propozimi i njërës prej 4 kompanive që janë në garë do të përzgjidhet më 15 tetor.

Kompania do të marrë me koncesion rrugën e kombit për 30 vjet.

Megjithëse nuk janë dhënë shumë detaje, mediat kanë zbuluar se taksa prej 5 eurosh do të jetë vetëm për veturat për një drejtim, përderisa për furgonët, autobusët dhe kamionët, tarifa do të jetë më e lartë.

Për herë të parë, lajmi për të vendosur taksën në Autostradën e Kombit ishte bërë në janar të këtij viti nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, në takimin e parë njohës me homologun e tij kosovar, Lutfi Zharku.

Ky i fundit kishte paralajmëruar se edhe pala kosovare do të detyrohet të vendosë taksë në autostradë, megjithatë në fund ka vendosur që të presë se si do të shkojë kontrata e koncesionit në Shqipëri, pastaj të marrë vendim për pjesën tonë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb