TIRANE- Videoja e publikuar sot në rrjetet sociale ku shfaqet futbollisti i Kombëtares Shqiptare Andi Lila në hotel duke folur me ironi ndaj një përfaqësuesi të klerit ortodoks është bërë objekt debatesh dhe diskutimesh.

Autori i videos, imami Ahmed Kalaja, ku pak orë më parë sulmoi mediat për lajmin, në një ripostim të dytë në ‘Facebook’ kërkon ndjesë për gjithçka ka ndodhur. Ahmed Kalaja thekson se nuk do t’i lejonte kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e tij për klerikët apo pjesëtare të komuniteteve te tjera fetare, të ishin në kundërshtim me mësimet e Islamit.

REAGIMI I IMAMIT AHMED KALAJA
Duke marrë shkas nga publikimi i bisedës të bërë mes meje dhe dy miqve të mi lojtarë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, e cila u publikua nga të gjitha mediat e vendit, më lejoni të shpreh keqardhjen time për keqkuptimin e qëllimit të asaj bisede. Si një përfaqësues i besimit islam, si prijës fetar dhe si atdhedashës, nuk do ia lejoja kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e mia për klerikë apo pjesëtare të komuniteteve te tjera fetare, të jenë në kundërshtim me mësimet e Islamit, i cili na mëson respekt dhe tolerance me pjesëtarë të besimeve të tjera qiellore, aq më tepër të cenohet toleranca ndërfetare e jona si vlerë kombëtare. Dua të shpreh gjithashtu keqardhjen time për mënyrën se si u kuptua biseda jonë e cila anonte më shumë në rrafshin e humorit, pa ndonjë të keqe, duke qenë se shakatë u bënë edhe për përfaqësues të besimit islam. Gjej rastin, si një njeri i besimit, të shpreh keqardhjen time nëse fjalët e mia apo të miqve të mi kanë cenuar sadopak kolegët edhe miqtë e mi të krishterë, duke i shprehur në të njëjtën kohë ndjesën time si dhe garancinë; Se respekti dhe toleranca ime për ta, ngelet e palëkundur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: