(Recetë për 2 persona nga znj Katerina)
Përbërësit

100 gr mish të grirë ose në kubikë të vegjël
3-4 kokrra patate
½ filxhan qumësht
1 qepë të thatë
½ domate + 2 lgj pure domate
1 lç gjalpë, 1 lç vaj ulliri
1 kokërr vezë
1 ls djathë kaçkavall
1 fç lëng perimesh/mishi
Kripë, piper, arrë moskat

Përgatitja

Në ujë të ngrohtë me pak kripë ziejmë patatet. Pasi të jenë zjerë plotësisht i shtypim, shtojmë qumështin e ngrohtë, vezën, gjalpin dhe e përziejmë derisa patatet të kthehen në pure.

Në një tenxhere hedhim 1 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim qepën e grirë imët. Sapo qepa të fillojë të bëhet transparente shtojmë mishin e grirë ose mishin të prerë në kubikë të vegjël. Shtojmë pak kripë dhe piper dhe vazhdojmë kaurdisjen derisa mishi të përthithë lëngjet e veta. Më pas shtojmë domaten të grirë në rende së bashku me purenë e domates. Sapo të fitojë pak nxehtësi shtojmë rreth 1 filxhan çaji lëng perimesh të ngrohtë ose lëng mishi. E lemë gatimin në temperaturë mesatare të ziejë për 15 minuta.

Marrim një tavë, e lyejmë me pak vaj dhe e pudrosim me pak galetë (bukë të thekur të grirë). Vendosim një shtresë me gjysmën e sasisë së puresë së patates, vendosim më pas kimën e përgatitur dhe pjesën tjetër të puresë. Vendosim disa copëza gjalpi dhe e spërkasim të gjithë sipërfaqen e tavës me djathë kaçkavall dhe e vendosim në furrë në 180 gradë për 20 minuta.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb