Gjykata e Lartë në Suboticë ka caktuar masën e paraburgimit për dy persona të dyshuar për përfshirje në një plan sabotimi në Gjermani, ndërsa autoritetet serbe nuk kanë bërë publike identitetin e plotë të të arrestuarve apo akuzat konkrete ndaj tyre.

Sipas gazetës gjermane Bild, dy personat dyshohet se janë “agjentë” të shërbimit sekret rus, të rekrutuar për një mision të vetëm. Ata dyshohet se kishin planifikuar vendosjen e lëndëve shpërthyese në një objekt në Gjermani.

Mediat gjermane raportojnë se arrestimi i tyre u krye në fillim të qershorit nga forcat speciale në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë. Në valixhen e të dyshuarve, sipas Bild, është gjetur lëndë shpërthyese, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që objektivi i planifikuar të ketë qenë një infrastrukturë e lidhur me prodhimin ose furnizimin e pajisjeve ushtarake për Ukrainën.

Dy të dyshuarit, me inicialet B.D. dhe Gj.S., ndodhen në paraburgim që prej 12 qershorit. Gjykata ka bërë të ditur se masa e sigurisë është zgjatur edhe për një muaj, por vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë.

Sipas raportimeve, informacionet e siguruara nga autoritetet gjermane të sigurisë dhe shërbimet inteligjente kanë qenë vendimtare për ndalimin e tyre.

Ministri federal i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi në qershor se shërbimet e sigurisë kishin parandaluar një sulm me eksploziv në territorin gjerman, duke e cilësuar çështjen si tepër konfidenciale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb