TIRANE – Ngjarja në Palasë të Vlorës ka tronditur mbarë opinionin publik, për shkak të përmasave të makabritetit, ndërsa është edhe një tjetër rast që hap debatin e madh lidhur me trajtimin e këtyre personave që vuajnë nga çrregullimet mendore.

Vrasja makabre e 12-vjeçarit në Vlorë nga një i sëmurë mendor, nuk është i vetmi rast që ngre alarmin se çfarë duhet të bëhet me këta persona, si duhet të trajtohen, pasi janë kthyer në një rrezik të përhershëm për shoqërinë.

Ja disa nga krimet e kryera nga të sëmurët mendorë ndër vite
Dibër, 23 tetor 2007
Në Dibër më 23 tetor 2007, 19-vjeçari, Shpëtim Ziza vret dhe përçundon 10-vjeçarin nga Peshkopia, Bekim Cenga. Trupi pajetë i 10­vjeçarit Cenga u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës, 7 km larg Peshkopisë, 5 ditë pas zhdukjes më 23 tetor 2007. Një ngjarje që tronditi mbarë opinion publik.

Berat, 2011
Në vitin 2011 në Berat, një 10-vjeçar u vra, pasi u godit me sende të forta nga një sëmurë mendor. Ngjarja ndodhi në fshatin Donfros të Beratit dhe autori Hysen Senka rezultonte me kartelë mjekësore.

Durrës, 2013
8 prill 2013, një 51-vjeçar me probleme mendore vret nënën e tij, e vetmja që kujdesej për të. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi në fshatin Kullë të Durrësit pas një debati për motive të dobëta. Djali e goditi nënën e tij, me drutë që përdorte për ngrohje, derisa i ka shkaktuar vdekjen.

Vlorë, Dukat 14 gusht 2013
Në dukat të Vlorës, në 14 gusht 2013 një bari, vret një person dhe plagos një tjetër. Xhezar Hysa, 45 vjeç nga Mollasi i Elbasani, u deklarua nga policia si person me probleme mendore, i cili kishte marrë trajtim në spital, por ishte lënë më pas i lirë. Vrau, Shedat Vangjeli, 62 vjeç, si dhe plagosi Bexhet Bodaj 59 vjeç.

Laç, 4 mars 2014
Një i sëmurë mendor terrorizon Laçin, qëllon me breshëri automatiku në mënyrë të pakontrolluar, duke vrarë dy vëllezër brenda në një lokal dhe pasi del jashtë qëllon sërish në mënyrë pakontrolluar duke plagosur dy kalimtarë të rastit. Viktimë mbetën vëllezërit Andrea Cara dhe Endri Cara. Altin Piroli, rezultonte sipas policisë së qarkut të Lezhës person me probleme mendore.

Tiranë, 1 prill 2015
Një 46-vjeçar me të meta mendore, vrau me kazmë babanë e tij 82 vjeç, me të cilin banonte në një shtëpi private në Kinostudio. Policia e Tiranës arrestoi autorin e vrasjes, Simon Prifti, 46 vjeç, Babai i tij, Piro Prifti, 8-2vjeç, kishte denoncuar herë pas here dhunën e ushtruar nga i biri, por nisur nga gjendja e tij mendore, nuk ishte marrë ndonjë masë.

Durrës, 14 gusht 2016
Arben kabashi, i sëmurë mendor, dhe i cili rezulton me kartelë mjekësore në spitalin psikiatrik të Elbasanit pasi vuan nga skizofrenia, mori peng kushërirën etij të mitur vetëm 11-vjeç duke kërcënuar se do ta vriste me thikë. Fatmirësisht në këtë rast policia mundi të ndërhyjë në kohë, duke neutralizuar 46-vjeçarin.
Spitali i Elbasanit tha se ai u la i lirë pasi u rehabilitua, por a kishte ndodhur vërtëtë kjo gjë. Babai i së miturës deklaroi se ky ishte rasti i tretë që ata kërcënohen nga 46-vjeçari.

I njëjti rast haset dhe këtë mërkurë në Plasë të Vlorës. Banorë të zonës denoncojnë dhunën që kanë pësuar nga 30-vjecari Jorgo Zani. I kuruar sipas mjekëve në Shqipëri e Greqi. Por a është ky trajtimi që duhet të ndihet për këta persona të diagnostikuar me probleme mendore, në të shumtën e rasteve skizofreni. Rastet e ndodhura tregojnë që kjo nuk është mënyra e duhur. A duhet të mbikëqyren nga mjeku përkatës edhe në banesë pasi lihen të lirë nga spitali, kush duhet të monitorojë këtë gjë? Edhe nëse ka një proces të tillë deri më sot rastet makabre te ndodhura në Shqipëri tregojnë se këto hallka nuk kanë funksionuar.
(er.nu/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb