Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Problemi i dokumentacionit për personat e internuar në kampe me rrethim me tela me gjemba, i cili kufizonte këtë kategori për të marrë dëmshpërblimin, duket se po shkon drejt zgjidhjes. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është duke bërë ndryshimet e duhura ligjore, ndërkohë që përmes një prononcimi, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, zëvendësministrja, Gentjana Sula sqaron se si do të bëhet e mundur marrja e parave. “Ligji i dëmshpërblimit që ka kaluar në parlament në vitin 2008, i përmban si kategori të internuarit në kampet me tela me gjemba. Por, ata kanë një telash me dokumentimin e faktit sepse kanë qenë në përgjithësi aksione dhe janë persekutuar pa vendime dhe dokumentacione të rregullta sipas ligjeve të asaj kohe. Ndërkohë që, në bazë të ligjit, palët e prekura, për të përfituar dëmshpërblim duhet të paraqesin dokumente të para viteve ’90, çka do të thotë se kjo kategori nuk ka dokumente të lëshuara para vitit 1990, sepse janë kaluar pa procese gjyqësore. Ne do të rishikojmë bazën dokumentare dhe një prej alternativave do të jetë komisioni trepalësh: pra këto kategori të mund të vërtetojnë pozitën e tyre përmes një dokumenti të lëshuar nga komisioni trepalësh”, – sqaron zëvendësministrja. Sipas Sulës, ky komision ka bazën e duhur të të dhënave, për të pajisur të internuarit me dokumentin që provon internimin. “Në fillim të viteve ’90 ka pasur një komision që ka shqyrtuar dokumentet e shtetit, dëshmitë gojore apo deklarimet e personave. Pra ka pasur një proces të tillë, në bazë të të cilit janë hartuar listat, të cilave ne mund t’u referohemi. Megjithatë, dëshiroj të theksoj se detajet janë ende duke u punuar, ndonëse parashikojmë që shumë shpejt dëmshpërblimi për këtë kategori të mund të zhbllokohet”, – u shpreh Sula.
Të zhdukurit
Ndërkaq, në Ditën Ndërko-mbëtare të Personave të Zhdukur, Sula tha se shumë shpejt do të nisë instalimi i bazës së të dhënave për depozitimin e materialit gjenetik, që do të bëjë të mundur zbulimin e rreth 6000 të zhdukurve në kohën e komunizmit. “Ne kemi evidentuar, kemi bërë hartën e varreve masive, natyrisht që ka dhe vendvarrime individuale. Dimë listën e personave të zhdukur: qoftë të ekzekutuar në mënyrë ligjore ose jo ligjore, qoftë edhe ata që kanë vdekur nëpër burgje dhe që janë rreth 6 mijë persona. Tashmë kemi krijuar zyrën e kërkimit pranë Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe shumë shpejt ICPM-ja do të instalojë database-n. Kjo bazë shkencore e të dhënave ka të bëjë edhe me depozitimin në të të materialit gjenetik të familjarëve, i cili pastaj do të kombinohet me materialin gjenetik të mbetjeve që do të gjenden”, – u shpreh Sula.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb