Një qytetar ka përcjellë gjatë protestës një mesazh që, sipas tij, vjen nga diaspora shqiptare, duke bërë thirrje për bashkim të të gjitha grupeve shoqërore dhe profesionale.
Ai vlerësoi qëndresën e protestuesve dhe tha se shqiptarët në diasporë po organizohen për të mbështetur protestën.
“Minimumi që mund të bëjmë është të mblidhemi një ose dy herë në javë para konsullatave. Fuqinë e marrim nga ky shesh”, u shpreh ai.
Më tej, qytetari përcolli thirrjen për rritjen e numrit të protestuesve, duke e cilësuar bashkimin e grupeve të ndryshme shoqërore si një mënyrë për të krijuar, sipas tij, “masën kritike” të nevojshme për ndryshim politik.
“I vetmi shans që kemi të rrëzojmë Ramën është të rrisim numrat dhe të bëhemi masë kritike. Çdo grupim, i çdo profesioni, të bëjmë të gjithë një pakt social dhe vetëm në këtë formë kemi shans t’i japim fund regjimit”, deklaroi ai.
Në fund, ai paralajmëroi për rrezikun e një tjetër vale emigrimi nga Shqipëria, nëse situata nuk ndryshon.
“Pas protestës mund të përballemi me një eksod të ri. Të gjithë ata që e duan atdheun, të lëmë pas ndasitë e të bashkohemi të gjithë”, ishte mesazhi i përcjellë nga qytetari.
