Në një takim me qytetarët në Dibër, në kuadër të Këshillimit Kombëtar, kryeministri Edi Rama foli dhe për sistemin e drejtësisë. Mes të tjerash, Rama shpërtheu ndaj gjyqtarëve të korruptuar, të cilët i quajti “të mallkuar”, pasi sipas tij, e dinë që janë të zhytur dhe vazhdojnë të marrin vendime të padrejta, duke liruar edhe vrasës serialë.

“Nëse askush këtu s’ka pasur probleme të drejtpërdrejta me drejtësinë, por ka ndjekur nga media raste flagrante, vendime që kanë tronditur opinionin publik. Vendime gjyqtarësh që vendosin të lirojnë një vrasës serial, i cili pasi ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm, pak nga pak i ulet dënimi, derisa del jashtë fare. Ka dhe raste të grabitjes së pronave sy më sy.

Ajo që ka rezultuar është se këta gjykatës nuk e kanë kaluar Vettingun dhe e dinë që nuk do ta kalojnë dot, sepse janë të zhytur komplet. Ligji sot është se nëse konstatohet një shkelje, për ta fillon një hetim. Në përfundim të hetimit, ata, nëse hetimi rezulton se ata e kanë shkelur ligjin, përjashtohen nga sistemi. Por, për sa kohë vazhdojnë hetimet, ata vazhdojnë punojnë.

A duhen pezulluar automatikisht, shtrohet pyetja? Kjo çështje është diskutuar dhe në fund ka mbetur se nuk pezullohen nga detyra, deri kur del përfundimi i hetimit. Por, me çfarë po na shikojnë sytë e na dëgjojnë veshët nga këta të mallkuar, është se këta nuk ndalen. Për këtë arsye, ne jemi në këtë dilemë, ta marrim vendimin që këta të ndalen. Na intereson mbështetja e qytetarëve, edhe si një provë që vendimi të burojë nga nevoja e madhe për drejtësi e publikut. Kjo është edhe për ndërkombëtarët, që flasin pa e marrë parasysh se ne jetojmë këtu, ne i vuajmë drejtpërdrejtë gjërat që ndodhin këtu, sepse ata vijnë e ikin”, tha Rama.

I pyetur për punësimin dhe çështjen e sigurimeve shoqërore, Rama theksoi se “Kemi ndeshur raste, kur punonjësit detyrohen të kthejnë te punëdhënësi një përqindje të caktuar të pagës dhe nuk flasin për këtë, sepse kanë frikë. E para, kanë frikë se nuk do të bëhet gjë, dhe e dyta, se punëdhënësi do t’i heqë nga puna. Ajo që ne kemi shtruar në pyetësor është angazhimi i qeverisë në krah të këtyre punonjësve jo thjesht për të drejtën e tyre.

Ne kemi shumë pak, për të mos thënë fare, raste denoncimesh. Patëm një rast shumë domethënës me një fasoneri në Korçë, ku u ngritën një numër grash për kontratën e punës dhe funksionoi, sepse menjëherë ministrja e Financave shkoi në Korcë, uli palët në diskutim dhe sot ato gra e kanë fituar të drejtën e tyre. Por këtë gjë nuk e bëjnë të gjithë, nëse do ta bënin, do të ishte mrekulli”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb