Ulsi Manja në asamblenë e noterëve është shprehur se në këtë fushë po nis një erë e re sa i përket zbatimit të ligjit dhe shërbimit dinjitoz ndaj qytetarëve.

Ai gjithashtu ka theksuar se kanë nisur inspektimet tematike dhe në çdo heqje license do të kryejë dalje publike lidhur me abuzimet.

“Kisha shumë për të folur me noterët e Shqipërisë dhe zgjodha Asamblenë Kombëtare të Noterisë për t’i thënë problemet tona sy më sy. Si Ministër i Drejtësisë, monitorues i drejtpërdrejtë i punës së tyre, them me bindje se në fushën noteriale nis një erë e re në zbatim të ligjit dhe në shërbimin dinjitoz ndaj qytetarëve. Kam falënderuar sot bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me kryetaren e Dhomës Kombëtare të Noterisë znj. Mimoza Sadushi, por kam kërkuar me forcë: Nisjen e dixhitalizimit të arkivave, zbatimin e udhëzimeve që kanë dalë nga MD si dhe korrektësinë para ligjit si në formë edhe në përmbajtje. Kërkova me këmbëngulje që noterët të mos bëhen palë me institucionet financiare jo banka (mikrokredive), dhe të lexojnë siç parashikon ligji, detyrimet e kontratave për qytetarët, sepse në shumë raste shqiptarët po mbeten peng. Noteria është një profesion të cilin unë e kam mbështetur përherë, ndaj kërkova bashkëpunimin e noterëve të ndershëm për të nxjerrë jashtë sistemit elementët që e bëjnë pis këtë shërbim. Në shërbim të këtij qëllimi kemi ngritur dhe kanë nisur inspektimet tematike dhe në çdo heqje liçense unë do të bëj dalje publike duke renditur abuzimet e kujtdo qoftë.”, ka thënë ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: