Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka reaguar, pasi opozita ka deklaruar se do të votojë pro amnistisë penale.

Manja ka përshëndetur vendimin, duke thënë se opozita mbështeti variantin e amnistisë të propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe qeveria shqiptare, ku nuk bëhet fjalë për amnistinë e subjekteve të SPAK-ut e të GJKKO-së.

Postimi i Manjës:

Përshëndes vendimin e opozitës për të miratuar më në fund Amnistinë Penale, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga axhenda politike të turbullta që e morën peng këtë akt kushtetues mëshire të shtetit, duke dëmtuar afro 700 përfituesit e kësaj aministie.

Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale.

Së fundmi nuk e fsheh dot kënaqësinë që siç e pata deklaruar publikisht për mediat përpara Kuvendit – kur turbullia e një pjese të parlamentit e bënte aministinë të dukej e pashpresë – Aministia Penale do të marrë të gjitha votat e deputetëve!

Nuk thotë kot populli, i duruari i fituari dhe le të shërbejë ky zhvillim pozitiv edhe për ata që s’kanë pse ikin më nga tavolina e punës, për të marrë rrugë të shkurtra që s’çojnë askund dhe si përfundim për t’i dalë gjatë rikthimit në tavolinë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb