Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte i pranishëm në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, ku ka komentuar edhe ndërhyrjet në Kodin Penal.

Sipas ish-ministrit Xhafaj, ndërhyrjet në Kode duhen bërë me shumë kujdes, pasi preken të drejtat themelore të njeriut.

“Ndërhyrja në Kod duhet të shënojë një ngjarje të rëndësishme. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ndërhyrjen në Kodet, pasi preken të drejtat themelore të njeriut.

Vecanërisht kur bëhet fjalë për ndryshimin e Kodit Penal dhe preken marrëdhënie shumë delicate të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut shpesh herë me pasoja të pakorigjueshme për jetët e njerëzve. Proprozimet e sjella duhet të bazohen në konsultim të gjërë dhe jo në propozime emocionale të inicuesve.

Ndërhyrjet që bëhen në Kodin Penal të jenë të mirëmenduar jo rrjedhoj e emocioneve që prodhon politika e ditës, por rrjedhoj e një analize të thelluar faktesh e statistikash dhe kryesorja produkt i një konsultimi të gjerë me grupet e interesit, shoqërinë civile dhe profesionistët e fushës, për të cilët duhet të kemi më shumë respekt dhe besim”, theksoi ish-ministri.

Më tej, Xhafaj deklaroi se “Vlerësoj reagimin shumë efektiv të bërë nga qeveria me masat e marra cka është reflektuar edhe në situatën pozitive që kemi sot me shkallën e infektimit nga COVID-19.

Gjthashtu është një gjë shumë pozitive dhe tregues i përgjegjshmërisë dhe shkallës së kulturës së qytetarve, sjellja e tyre në reagim të këtyre masave.

Që kjo gjendje të ruhet dhe kryesorja që të parandalojmë situata të tjera negative dhe të mund të kontrollojmë më mirë papërgjegjshmërinë e disa individëve që sjell pasoja për gjithë shoqërinë po kërkohet që krahas masave administrative e sanitare të përforcohen edhe masat penale.

Në kushtet kur në Kodin tonë kjo gjë nuk është e parashikuar është e domosdoshme një ndërhyrje të tillë dhe në mënyrë të shpejtë. Ndoshta ky është rasti kur mund të cedojmë pak në procedura në funksion të një interesi të lartë publik sic është siguria e jetës në kushte të tilla pandemie. Në këtë kuptim është plotësisht i justifikuar qëllimi i nismës”.

Ndërkohë, deputeti Xhafaj shprehu kritika për propozimin e prezantuar për ndryshimet e Kodit Penal.

“Propozimi i koleges Bodes, si mjeke dhe si ligjavënëse është shumë qëllimmirë por i formuluar jo në mënyrë të përshtatshme dhe kryesorja i prezantuar keq në publik, cka krijoi edhe keqkuptime e tensione të panevojshme. Ndëshkimet duhet të jenë proporcionale, në aspektin penal por të lidhura edhe me aspektin ekonomik, social dhe psikologjik pasi kriza të tilla i përfshijnë të gjitha këto dimensione.

Reflektimi në Kodin Penal duhet të mbajë parasysh shkeljen e rregullave, ndëshkimin e veprimeve në përhapjen e epidemisë por edhe duhet të ishte parashikuar nevoja për të ndëshkuar personat përgjegjës kur me veprimet apo mosveprimet e tyre nuk marrin masat e nevojshme apo fshehin fakte e rrezikshme për pasojat e pandemisë me pasoja për jetën e qytetarëve.

Ne ndëshkojmë qytetarët që shkojnë në tregje dhe nuk respektojnë rregullat përkatëse dhe mirë bëhet se ka të bëjë me sigurinë e jetës së tyre, por po me të njëjtën ashpërsi duhet të ndëshkojmë edhe autoritetet përgjegjëse për veprimet apo mosveprimet e tyre lidhur me krijimin e kushteve të përshtatshme në to”, tha ndër të tjera ish ministri i Brendshëm Xhafaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb