Anëtari i Kryesisë së PD, Enno Bozdo, i ftuar në studion e Nees24 ka deklaruar se situata me mikrokreditë e këqija në vend ka prekur të paktën 100 mijë persona.

Duke u ndalur te protesta e opozitës, ai tha se ato kanë shërbyer për të mbajtur në vëmendjen e publikut aferën e inceneratorëve dhe atë të drejtorëve të bashkisë së Tiranës.

Sa u përket hetimeve të drejtësisë, ai u shpreh se në dosjen e komunikimeve të enkriptuara janë edhe emrat e tre deputetëve të Partisë Socialiste apo familjeve të lidhura ngushtë me këtë forcë politike.

“Situata është shqetësuese sepse preken të paktën 100 mijë persona që në një mënyrë apo tjetër kanë rënë pre e një rrjeti të mirë organizuar të mashtrimit me kreditë. Fenomene të tilla ndodhin vetëm në Shqipëri. Ajo që është më e rëndësishme, është se edhe pse ka pasur një interesim nga Ministria e Drejtësisë pranë Bankës së Shqipërisë, rrota institucionale ka lëvizur me shpejtësi jo të madhe.

BSH është rregullatore, por duket se është një zonë gri. Është e rëndësishme t’i shkohet deri në fund rastit dhe të merren gjithë masat për ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit rregullator që mos të ndodhë sërish. Njerëzve u është bërë presion me pasuritë e tyre, kemi të bëjmë me njerëz që kanë qenë në pamundësi.

Protesta është protestë dhe ndodhin ato gjëra që priten. Ka tensione dhe fërkime, por të mendojmë këtë gjë, këto protesta dhe retorika e opozitës për sa i takon aferës së inceneratorëve dhe 5D-së, i kanë shërbyer mjaft opinionit publik që këto çështje t’i  mbajmë në vëmendje. Akuzat tona për SPAK kanë qenë që minimalisht nuk e ka konsideruar si grup të strukturuar kriminal, nuk i ka shkuar deri në fund roleve të Agaçit, Ramës, etj. Në një vend si Shqipëria nuk mund të futësh në xhep 400 milionë euro pa dijeninë e kryeministrit dhe njerëzve të tij më të ngushtë. Këtë e di çdo njeri.

Si është e mundur që gjithë personat afër Ramës politikisht, para se SPAK të vepronte ndaj tyre kanë qenë jashtë roleve të tyre zyrtare. Kjo është e gjitha e rakorduar. Proceset e rënda politikë janë të rakorduara, të jeni të sigurtë. Ndaj edhe opozita nuk ka besim dhe presionin duhet ta bëjmë të madh dhe publik. Drejtësia është me telekomandë dhe shpërthimet janë të kontrolluara.

Për një proces në të cilin Sali Berisha, shef i opozitës, mbahet prej kaq kohësh i burgosur politikisht, nuk është gjetur asnjë provë dhe nuk ka një akuzë të artikuluar. Për të njëjtin proces, për ish-klubin Partizani, Edi Rama është ai që me firmat e tij e ka tjetërsuar terrenin nga sportiv në terren ndërtimi. Berisha nuk ka firma në këtë gjë, si mund të sekuestrohet pasuria e vënë me mund dhe me djersë. Si mundet që për afera të tjera të mazhorancës, të konsiderohen thjesht shpërdorim detyre. Këto janë pra standardet kundërthënëse.

Shikoni çfarë bëhet me dosjen e telefonatave të enkriptuara të grupeve kriminale. Anë 3 deputetët të PS apo familje të lidhura ngushtë me PS në ato komunikime. Si mund të ngrihet një mekanizëm i tillë kriminal ku nuk ka më dallim nga shteti dhe grupet kriminale”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb