Klevis Alla u arrestua pak ditë pas vrasjes së Besmir dhe Viktor Haxhia dhe pranoi të tregonte dhe dëshmonte rreth ngjarjes, duke përfshirë shtetasit Altin Ndoci, Nuredin Dumani dhe Talo Çela. Ashtu si Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj dhe Klevis Alla pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.

Ndërsa vetëm pak ditë para operacionit të bujshëm të SPAK, lidhur me këtë çështje të hetuarit Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, kanë dhënë të dhëna për përfshirjen e tyre në këto dy episode si dhe të shtetasve të tjerë. Nga deklarimet e tyre të cilat janë në unison me njëra-tjetrën ka rezultuar se në vrasjen e shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia në datën 02.03.2020, janë të përfshirë të hetuarit Arjan Spahija (i vrarë në Belgjikë), Erjon Alibej, Eljo Bitri, Henrik Hoxhaj, Nuredin Dumani, Klevis Alla, Asllan Plaku. Në deklarimet e shtetasve Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani shpjegohet roli dhe veprimet e secilit prej pjesëmarrësve në ngjarjet e datës 02.03.2020 dhe 27.04.2020, të ndodhura në Durrës.

“BalkanWeb” ka zbardhur dëshminë e të penduarit Klevis Alla pas arrestimit ku implikohen dy krutanët e dyshuar si vrasës me pagesë, të cilët akuzohen se ekzekutuan Besmir dhe Viktor Haxhian. Ngjarja në fjalë ndodhi në muajin prill të vitit 2020 në Durrës. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar dëshminë e Allës, i cili pohoi se me porosi të Nuredin Dumanit dërgoi Besian Xhixhën dhe Enver Divën te shtëpia e Besmir Haxhisë.

“Nuredini me tha; ‘ata do të vrasin Besmirin’. Xhixha e Diva thanë se vrasja bëhej, se vendi ishte i mirë dhe më kërkuan mua si shofer”, mësohet të jetë shprehur ai gjatë dëshmisë së tij.

Sipas Allës, Nuredin Dumani është i rrezikshëm, ndërsa shtonte se ata kanë lidhje të forta në policinë e Durrësit.
Duke u ndalur tek fakti se pse nuk e tregoi si fillim emrin e Dumanit, ai tha se; “Se tregova emrin e Dumanit se me kërcënoi se do me vriste motrën. Besian Xhixha një natë qëndroi në shtëpinë e Nuredin Dumanit”.

Besian Xhixha dhe Enver Diva nga Fushë-Kruja, u arrestuan më 17 qershor të vitit të kaluar.

Në rrëfimin e Allës, ai ka implikuar për vrasjen e dy vëllezërve disa persona, duke nisur nga Talo Çela e Nuredin Dumani, të cilët fillimisht ishin porositësit e vrasjes, e më pas, Enver Divën dhe Besian Xhixhën, të cilët, ishin personat që kishin pranuar për të kryer vrasjen, por infektimi me COVID i Divës, ndryshoi të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Në këtë moment, hyn në lojë Talo Çela dhe Nuredin Dumani, të cilët, duke përdorur si shofer të penduarin Alla, kanë vrarë vëllezërit Haxhia. Kjo, pasi sipas të penduarit, Nuredin Dumani dhe Talo Çela ishin në konflikt me Besmir Haxhinë, për lekët e grabitjes së Rinasit.

Sakaq, Alla ka treguar, se Nuredin Dumani, të cilin e kishte komshi, i ka kërkuar që ta takonte. Në bisedën që kanë zhvilluar ai i ka kërkuar Allës që dy miqtë e tij (Enver Divën dhe Besmir Xhixhën), t’i dërgonte pranë shtëpisë së Besmir dhe Viktor Haxhisë, për të monitoruar zonën.

Besmir Xhixha dhe Enver Diva, pasi kanë monitoruar të gjithë ambientin, kanë rënë dakord për të kryer vrasjen, por kanë kërkuar që si shofer të jetë Klevis Halla, pasi ishte një njeri që e njihte mjaft mirë zonën.

“Në muajin mars dhe prill jam telefonuar nga Nuredin Dumani për të shkuar në shtëpinë e tij. E kam komshi. Ai më tha: ‘merri këto se janë shokët e mi dhe çoji përreth shtëpisë së Besmir Haxhisë, e mos fol fare’. Ai thotë se me automjetin e tij tip Golf 5, shkuan afër shtëpisë së Besimirit dhe ranë dakord për vrasjen e Haxhisë, ata thanë që vendi është i mirë, nuk kishte kamera, por mungonte shoferi.

Ata kishin menduar që shoferi do të ishte Alla, pasi e njihte mirë zonën. Dy ditë më parë, Nuredini tha që një person kishte rezultuar pozitiv me COVID, e ai ishte Enver Diva. Në një tjetër moment ka shoqëruar Xhixhën te shtëpia e Dumanit, e pas një dite ai ka ikur.

Një natë më pas, është diskutuar mes Dumanit, Çelës dhe autorëve për vrasjen e Besimir Haxhisë. Kur plani me vrasësit me pagesë dështoi, Talo Çela, Nuredin Dunami dhe të tjerët, vendosën që ta kryenin vetë vrasësin. Në fakt, objektivi ishte vetëm Besmir Haxhia, ndërsa nuk ishin në dijeni që në makinë gjatë momentit të vrasjes ishte dhe vëllai i tij, Viktori.

Më pas, gazetarja Lala ka treguar dhe pse Alla ka refuzuar fillimisht të implikojë në Nuredin Dumanin në këtë histori. Sipas tij, Dumani njihej si një person i rrezikshëm në qytetin e Durrësit, me lidhje të forta në polici. Madje sipas Allës, Dumani, e ka kërcënuar se do të vriste motrën e tij nëse tregonte. I riu ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, vetëm kur policia e ka siguruar se ai dhe familja e tij do të jenë në mbrojtjen e tyre.

“Ai ka mohuar dhe ka fshehur emrin e Nuredin Dumanit dhe flet për një person të tjerë të përfshirë dhe e identifikona të me nofkën Bubi. Sipas tij, Nuredin Dumani është një njeri i rrezikshëm, me lidhje të forta në polici, madje sipas tij, Dumani e kishte kërcënuar se do t’i vriste motrën, ndaj dhe ka heshtur. Por kur ka marrë sigurinë e policisë, se ai dhe familja e tij do të ishte i mbrojtur, i ka rrëfyer të gjitha”, përfundoi gazetarja Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb