TIRANE– Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas protestës së të rinjve aktivistë, të cilët e kanë qëlluar me bojë të kuqe institucionin ditën e sotme në shenjë protestë kundër dhunës nga ndaj gruas. Ata kanë protestuar lidhur me vrasjen e gjyqtares Fildez Hafizi nga ish-burri i saj disa ditë më parë në Tiranë.

Me pankarta në duar, ata bëjnë përgjegjës për ngjarjen, institucionet e drejtësisë.

Por Ministria e Drejtësisë përmes një reagimi për mediat sqaron se mbështet çdo organizim të shoqërisë civile kundër dhunës në familje dhe mosveprimit të autoriteteve publike për parandalimin dhe ndjekjen ligjore të këtyre rasteve.

Ky institucion thekson se me protestën e sotme, shoqëria civile gabimisht i ka kërkuar llogari Ministrisë së Drejtësisë për përgjegjësi që, sipas tyre, nuk i ka.

REAGIMI I PLOTE
Ministria e Drejtesisë ka mbështetur dhe mbështet çdo organizim të shoqërisë civile, kundër dhunës në familje dhe mosveprimit të autoriteteve publike për parandalimin dhe ndjekjen ligjore të këtyre rasteve. Ritheksojmë qëndrimin tonë të shprehur edhe më parë, se çdo organ publik që nuk ka përmbushur përgjegjësitë sipas ligjit, përfshirë ketu edhe sistemin gjyqësor, duhet të përgjigjet administrativisht dhe penalisht për mosveprim.

Ministria e Drejtësisë sqaron opinion publik se ka ushtruar dhe do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë që i ngarkon ligji në fuqi lidhur me rastet e dhunës në familje. Sipas legjislacionit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka përgjegjësinë e trajnimit të stafit mjeko-ligjor dhe përmbaruesve gjyqësore, si dhe të financojë mbrojtjen ligjore falas ndaj grave të dhunuara. Këto përgjegjësi janë ushtruar me përgjegjshmëri dhe në të njëjtën mënyrë do të vijojnë të ushtrohen edhe në të ardhmen.

Lëvizja e sotme e shoqërisë civile, ku gabimisht iu kerkua llogari Ministrisë së Drejtësisë për përgjegjësi qe nuk i ka, apo kompetenca që nuk i disponon, nëpërmjet simbolikës së ngjyrosjes me bojë të kuqe të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, nxjerr në pah nevojën e menjëhershme për të sqaruar mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse për parandalimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës në familje. Të gjithë bashkë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim, për të sqaruar në detaje veprimet dhe mekanizmat ligjore në dispozicion të të dhunuarve në familje.

Ministria e Drejtësisë shpreh mbështetjen e saj ndaj shoqërisë civile, për të ndërmarrë veprime të përbashkëta, në kuadër të përmirësimit të legjislacionit në fushën e dhunës në familje, si dhe gjen rastin të shprehë gadishmërinë e saj për të ndërmarrë çdo masë ligjore në këtë drejtim. Në të njëjtën mënyre, duhet të veprojnë të gjitha autoritetet përgjegjëse në këtë fushë, të cilat kanë përgjegjësi ligjore në kuptim të ligjit nr. 9669/2006.

Ministria e Drejtësisë inkurajon organet shtetërore dhe shoqërine civile, në forcimin e bashkëpunimin për luftë me tolerance zero ndaj dhunës në familje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb