Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se javën që vjen do të depozitojnë një amendament pro-SPAK-BKH, për mbështetjen e kësaj strukture për të luftuar korrupsionin.

Ai tha se një nga propozimet e PD është rritja me 50 % e hetuesve të çështjeve në SPAK.

“Qeveria dhe maxhoranca e kësaj qeverie, jo vetëm që nuk kanë hedhur asnjë hap për të ndihmuar, lehtësuar dhe zhvilluar potencialin, kapacitetet hetuese të SPAK dhe BKH-së, por në një kohë kur ditën bëjnë sikur janë në mbështetje të drejtësisë, natën shfrytëzojnë resurset e këtij sektori. Kjo qeveri është në panik ndaj SPAK, po bashkëpunon haptazi me kontingjentin e të korruptuarve, të shpallur non-grata, apo për lidhje me krimin e organizuar. PD do të depozitojë javën e ardhme një nismë pefektive ndaj SPAK dhe BKH, e cila dorëzohet në Kuvend. Kjo paketë pro-spak, nuk është kundërvënie ndaj ofensivës së Ramës, Metës, apo Berishës, është mbi të gjitha përmbushje ndaj angazhimit tonë për sistemin e drejtësisë. 4 do të jenë fushat kryesore të ndërhyrjeve ligjore dhe vendimeve të tjera. I pari ka të bëjë me amendamentet përkatëse të buxhetit të shtetit, për burime njerëzore të bëra nga SPAK. Do të kërkojmë fonde të mjaftueshme për të rritur me 15% numrin e hetuesve.”, tha Basha.

Ai shtoi mes të tjerash se; “Edi Rama nuk është në panik vetëm nga SPAK, por dhe nga pasojat e një sjellje të tillë korruptive. Ka thirrur në ndihmë persona të sanksionuar nga aleatët tanë. Kjo është një betejë që kalon në sinorët e PD, dhe të shtetit shqiptar. Tentohet diskretitimi i këtyre partnerëve strategjikë, goditja e shpresës së shqiptarëve për ndryshim, duke shkatërruar një standard elementar. Të shpallur non-grata nuk mund të jenë pjesë e PD, standard që e kemi mishëruar në kuvendin e 18 dhjetorit. Kjo sienergji i lidh sëbashku Ramën me ata të tjerët. Ata që nuk janë pjesë e PD, nuk mund të hiqen si të tillë. Ata po i kundërvihen haptazi ligjit, përpjekjes mbarë shqiptare për të shkulur kulturën e pandëshkueshmërisë. Po përpiqet që të godasë, Rama, Nikolla, apo të tjerë. Shkresat mund t’i depozitojë dhe Putini e Maduro. Por individë që nuk përfaqësojnë PD nuk mund të diktojnë vendimet e saj. Distancimi ynë me non-gratat është permanent.
Detyra jonë është që të paraqesim këto propozime. Nëse qëndrimet tona janë në mbështetje të SPAK, çdokush duhet të pozicionohet. Koha tregon se qëndrime të tilla nuk mbeten pa pasoja.

Komunikimi i PD dhe i imi personal me partnerë strategjik është i vazhdueshëm, duke u nisur nga javët e fundit. Etika e komunikimit diplomatik duhet të qartësohet.”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb