Në programin “Gëzuar me ju” këtë të diel pashke ishte i ftuar këngëtari i njohur i muzikës popullore Gentian Selfo së bashku me grupin Orkestrina e Gjirokastrës dhe Grupin e fëmijëve Studio Muzikore Feminore Haxhi Selfo, të cilët dhuruan një spektakël të vërtetë me muzikën e tyre.

Të ftuar të tjerë në program, që folën dhe ndanë kujtime e bashkëpunime me Gentian Selfon, ishin Lubjana Shehaj, mësuese gjuhë letërsie në Gjirokastër dhe prind i një prej fëmijëve të grupit, Vera Zilfe gjyshja e një prej fëmijëve, Nimerad Llano, maestro i orkestrinës dhe bashkëpunëtor i grupit të fëmijëve, Lizeta Hadika kostumiere e qëndistare, Anastas Lako përgjigjes i artit dhe kulturës në bashkinë Gjirokastër dhe violinist i grupit, Athalia Koçi, gjimnaziste, pjesë e grupit të fëmijëve, Vani Rushiti orkestruesi i këngës më të re të Gentian Selfos në bashkëpunim me Endri dhe Stefin, “Ç’keni ju me mua ç’keni”.

Në program po ashtu ishin edhe dy djemtë, Gesion Selfo, student në Akademinë e Arteve për aktrim, dhe Dejvi Selfo, gjimnazist dhe pjesë po ashtu e grupit të fëmijëve, të cilët ndanë momente e kujtime me gjyshin e tyre dhe babanë, teksa folën për dashurinë që kanë për këngën.

Mbrëmja nisi me fëmijët e grupit “Haxhi Selfo”, të cilët të veshur me kostume popullore gjirokastrite realizuan interpretime brilante.

Për fëmijët e grupit Gentian Selfo tha se të gjithë duke filluar nga më i vogli që është 5 vjeç, janë këngëtarë live. “Të falin një kënaqësi të jashtëzakonshme, pavarësisht lodhjes”, tha ai për punën me ta.

Kostumierja Lizeta Hadika e cilësoi privilegj punën me fëmijët, duke theksuar se kanë bërë kthim në histori me veshjet e krijuara për ta. Ajo përmendi rikthimin e “Pipirisë” së Gjirokastrës, pas 40 vitesh, “3 vite pune për të realizuar ‘Pipirinë’ nga kërkimi deri te finalizimi”. “Jam e lumtur që e kam kthyer mbretëreshën e veshjes së Gjirokastrës”, tha ajo, teksa Athalia Koçi, pjesë e grupit të fëmijëve, e kishte veshur në studion e “Gëzuar me ju”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb