Nga ELTON DONO

POGRADEC- Të marrësh rrugën për në juglindje të Shqipërisë, mëdyshja për të zgjedhur se cilën bukuri natyrore të vizitosh më parë të mban gjatë. E teksa ky udhëtim nis përpara shfaqet Liqeni i Pogradecit… Bukuria e tij, këtë vit ka dalë në pah ashtu siç dikur e përshkruante Lasgushi në krijimet tij. Betoni që kishte zaptuar thuajse gjithë bregun tani nuk është më.

Nëse zgjedh të kalosh një fundjavë relaksuese, në fresk dhe qetësi, por gjithashtu të bësh edhe plazh duke marrë rreze dielli, të konsumosh një vakt tradicional, Pogradeci ta ofron më së miri këtë gjë.

Driloni dhe Tushemishti mbeten pa dyshim ndër pikat turistike më të frekuentuara në Pogradec. Rrugicat, urat prej druri, mjellmat, rosat, dhe pëllumbat plotësojnë më së miri një skenë të admirueshme në Drilon.

Nuk mbetet pas Tushemishti. Një fshat turistik me shtëpi mikpritëse e hotele luksoze, duke ofruar gjithçka për pushuesit shqiptarë e ata të huaj. E kush vjen në Tushemisht nuk harron të përshëndesë edhe “Teto Ollgën”, e cila qëndron aty stoike duke i mirëpritur të gjithë.

E ndërsa kemi shijuar gjithçka në Pogradec, i drejtohemi Korçës. Aty teksa ndalemi për të shijuar një kafe të mirë, mëdyshja na shtohet edhe më shumë… Cili do të jetë destinacioni i radhës, Dardha apo Voskopoja ? Në udhëtimin tonë ne kemi zgjedhur t’i vizitojmë të dyja.

Dardha e bukur në çdo stinë. Kjo është ndalesa jonë e radhës. Fundjava aty është e lakmueshme. Ata që kanë shijuar skitë në dimër kthehen në verë për të shijuar ajrin e freskët. Shtëpitë karakteristike, rrugicat e kalldrëmta, kurora e maleve dhe pishave që rrethojnë fshatin, krijojnë të panoramë piktoreske, që gjithkush nuk do donte ta humbiste. Një prej pronarëve të bizneseve në Dardhës, Ilir Deli, ndërsa tregon për bukuritë e dardhës thotë se vizitorët këtu, sidomos ata që vijnë për herë të parë e kanë të vështirë të largohen, apo të mos duan të kthehen sërish.

Lundi Et Doner, një turiste nga Franca ka zgjedhur që pushimet e verës t’i kalojë në Shqipëri sëbashku me familjen. Ky vend sipas saj ka shumë bukuri natyrore të pazbuluara. Ndalesa e saj e parë ka qenë fshati turistik i Dardhës.

“Jam nga Franca dhe vij për herë të parë këtu sëbashku me bashkëshortin dhe djalin tim. Natyra është e mrekullueshme, malet, pyjet, klima e freskët dhe njerëzit janë shumë të dashur. Ne erdhëm nga fshati Arrëz i Devollit me motorra. Shpresojmë t’ia kalojmë mirë edhe më tej. Presim të shijojmë dhe ushqimin e zonës sepse kam dëgjuar fjalë të mira për të. Ne do të qëndrojmë në Shqipëri dy javë. Pas Korçës do shkojmë në Gjirokastër dhe më Pas në Butrint, Vlorë dhe Shkodër. Do të zbulojmë shumë gjëra për vendin tuaj, vende që nuk janë parë më parë”, thotë turistja franceze.

Po ashtu edhe turistja greke, Maria Dimitri thotë se ka ardhur në Dardhë për të kaluar fundjavën me familjen e saj, pasi çmon bukuritë e zonës.

“Jam nga Greqia është hera e parë që vij në Korçë dhe këtu në Dardhë. Më pëlqen natyra këtu, ajri, ushqimet, gjithçka. Është shumë bukur”, thotë turistja greke.

Dardha mbetet e preferuar për shkak të klimës së saj edhe nga sportistët vendas e të huaj. Një prej tyre është edhe kampionia jonë e vrapimit Luiza Gega, e cila zgjedh çdo vit juglindjen, dhe kryesisht këtë fshat për t’u praktikuar në nivele profesioniste.

Pas Dardhës nisemi drejt Voskopojës, e cila gjendet e rrethuar mes malesh, e strukur mes kurbave të buta të kodrave, bri pyjeve të dendur e të përjetshëm, përbën një nga vendet më përrallore. Është Voskopoja, një nga qytetet që jo vetëm ka shërbyer si muzë për shkrimtarët, apo studiues e historianë me radhë, por ka qenë dhe vazhdon të jetë djepi i kulturës si dhe nxitjes së turistëve.

Një turiste e ardhur rishtazi në Voskopojë flet mbi përshtypjet e saj të para.

Udhëtimi ynë përfundoi, por jo destinacionet turistike që ofron qarku i Korçës. Vithkuqi e Prespa janë të tjera bukuri natyrore përrallore që ju presin.

(be/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb