SHKOZET

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot banorët e lagjes 14 në Shkozet të Durrësit teksa tre persona të veshur me uniformë policie i zunë pritë një biznesmeni dhe më pas i grabitën me armë 10 mijë euro.

Ngjarja ka ndodhur pak më parë, ndërsa personat e maskuar kishin vënë nën gjurmim biznesmenin gjatë kohës që kishte dalë  për kafe me djalin.

Para se të hynin brenda shtëpisë, tre personat i kanë zënë prit biznesmenit tek porta e banesës dhe më pas kanë hyrë në ambientet e shtëpisë duke lidhur familjarët.

Pasi arritën të merrnin sasinë e parave, të maskuar  dhe të veshur me uniforma policore, tre grabitësit kanë marrë me vete për disa kilometra edhe djalin e familjes, por më pas e kanë lënë të lirë duke ia mbathur në drejtim të paditur. Arratisja e tyre është ndihmuar edhe nga errësira, ndërkohë hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët terrorizuan të gjithë familjarët e biznesmenit.

Gazetarja e “BalkanWeb”, Klodjana Haxhiaj tha se biznesmeni njihej në veprimtarinë e transportit ndërkombëtar. Ai ndodhet në komisariatin e policisë bregdetare dhe po merret në pyetje.

Njoftimi i policisë

Më datë 12.01.2019, në lagjen Nr.14 Shkozet, Durrës 3 persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë dhe kanë vjedhur banesën e shtetasit E.K. ku kanë marrë 10 800 €.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb