Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në prag të ditës ndërkombëtare të lirisë së shtypit, 3 maji, ka shprehur solidaritet me gazetarët, siç u shpreh ai, për të drejtat e tyre të shkelura me dhunë, kërcënimet e shantazhet nga qeveria e segmentet e krimit.

Blushi thekson se Shqipëria renditet e fundit në rajon për lirinë e medias.

“Vetëm këtë vit janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave ndaj jo më kot, Shqipëria renditet e fundit në rajon për lirinë e medias!”, shprehet Blushi.

Ai shton se pronarëve të mediave në Shqipëri iu hidhen në erë me tritol bizneset e pronarëve kritikë ndaj pushtetit, mbyllen televizione dhe shantazhohen pronarët, blihen mediat, kërcënohen e dhunohen gazetarë.

“Solidaritet i plotë me kolegët e mi gazetarë që protestojnë sot për të drejtat e tyre, të shkelura me dhunë, kërcënime, shantazhe dhe censurë nga Qeveria, klientët dhe bandat kriminale të saj! Vetëm këtë vit janë raportuar rreth 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave ndaj jo më kot, Shqipëria renditet e fundit në rajon për lirinë e medias! Hedhja në erë me tritol e bizneseve të pronarëve të mediave, mbyllja e televizioneve dhe shantazhet ndaj pronarëve të tyre, blerja e mediave me paratë e inceneratorëve, dhuna brutale fizike nga Policia e Shtetit ndaj reporterëve, gjobat e paligjshme tatimore, censura dhe autocensura, sulmet dhe fyerjet politike, shtrëngimi për publikimin e burimit dhe “pengmarrja” nga SPAK e gazetarit Elton Qyno, kërcënimet personale dhe presionet e nxitura drejtpërdrejt nga Erion Veliaj ndaj koleges Ola Xama dhe familjarëve të saj, aktet rrugaçërore të Edi Ramës ndaj gazetares Ambrozia Meta apo dhuna burracake ndaj Gjergj Zefit janë disa nga ngjarjet më të rënda të kohëve të fundit që provojnë se liria e fjalës dhe pavarësisë së medias ka sot armiq kryesor: “Rilindjen”, Edi Ramën dhe Erion Veliaj. Liria e medias është thelbësore për demokracinë!“, shprehet Blushi.

Gazetarët protestuan sot në prag të ditës ndërkombëtare të lirisë së shtypit, 3 maj, para ndërtesës së Kuvendit si një shenjë reagimi kundër presioneve, ndërhyrjeve dhe dhunës që vjen qoftë nga politika apo edhe përfaqësues të krimit, si përpjekje për të frenuar misionin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb