Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me skandalin që publikoi dje News24 ku Operatori i Sistemit të Transmetimit ka hapur një tender me vlerë 130 mijë euro për pamjen e jashtme të punonjësve të tij.

Në një takim me strukturat e Partisë së Lirisë në Elbasan, Meta e cilësoi këtë fakt kulmin e marrëzisë, në një kohë varfërie për familjet shqiptare.

“Kemi nivelin më të ulët të të ardhurave për banorë. 50% më pak se sa Serbia, ndërkohë që dikur kemi qenë më mirë se sa ata. Edhe për pagat edhe pensionet, i kemi më të ulëta, por çmimet dhe taksat i kemi më të larta. Kjo është arsyeja se pse nuk vijnë investitor këtu. Shkojnë në Mal të zi dhe Maqedoni. Këtu vijnë ata që duan të pastrojnë para, investitorë të Ndraghet-ës dhe të ngjashëm me ta. Shihni se si sillet qeveria me çmimin e naftës. Çmimi i naftës në bursa është më i ulët tani në burse se sa ishte para luftës, këtu është në nivelet më të larta. Partia e Lirisë ka paraqitur në vend një propozim për heqjen e taksës së qarkullimit. Nga ajo taksë grumbullohen rreth 200 mije euro në vit, por pjesa tjetër 10 % e saj shkon për mirëmbajtje. Të tjerat shkojnë për projekte luksi. Përfshi dhe këto tenderin për kozmetikën e punonjësve, u njohëm kohët e fundit. Këto janë gjera dmth …është Kulmi i marrëzisë në këto kohë varfërie dhe në këto kohë tronditje të mëdha sociale të shoqërisë dhe familjes shqiptare. E vetmja që nuk tronditet është qeveria.”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: