Edicioni i nëntë i “Laver Cup” zhvillohet për herë të dytë në “O2 Arena” të Londrës, nga data 25 deri më 27 shtator. Katër vite më parë, kryeqyteti britanik ishte dëshmitar i lamtumirës zyrtare të Roger Federer nga tenisi, në një ndeshje dyshe historike së bashku me Rafael Nadal.

Dyshja legjendare humbi përballë amerikanëve Jack Sock dhe Frances Tiafoe. Në ekipin e Europës atëherë ishin të pranishëm të katër anëtarët e “Big Four”. Asnjëri prej tyre nuk është rikthyer më në turneun që tashmë ka status zyrtar në kalendarin profesional të ATP-së. Edhe pse nuk shpërndahen pikë për renditjen, fitoret dhe humbjet regjistrohen në statistikat e lojtarëve.

Që nga edicioni i parë në vitin 2017, në Pragë, “Laver Cup” përball ekipin e Europës me gjashtë nga tenistët më të mirë të pjesës tjetër të botës. Secili prej gjashtë lojtarëve duhet të luajë të paktën një ndeshje teke gjatë dy ditëve të para dhe maksimumi dy ndeshje teke në total gjatë turneut. Gjithashtu, të paktën katër nga gjashtë lojtarët e secilit ekip duhet të aktivizohen në një ndeshje dyshe. Trofeun e fiton ekipi që arrin i pari në 13 pikë. Konkurrimi zhvillohet përgjatë tri ditëve dhe pesë seancave, duke kombinuar ndeshjet teke dhe dyshe.

Sistemi i pikëzimit garanton një fund emocionues të dielën: fitoret në ditën e parë vlejnë një pikë, ato të ditës së dytë dy pikë, ndërsa fitoret e së dielës vlejnë nga tri pikë. “Pjesa tjetër e Botës” ka fituar tri nga katër edicionet e fundit, përfshirë atë të fundit të zhvilluar në San Francisko. Megjithatë, Europa kryeson në historikun e trofeut me pesë tituj kundrejt tre.

EKIPET DHE KAPITENËT – Yannick Noah dhe Andre Agassi do të jenë për të dytin vit radhazi kapitenët e ekipit të Europës dhe të “Pjesës tjetër të Botës”. Europa do të përfaqësohet nga Alexander Zverev (2), Carlos Alcaraz (3), Flavio Cobolli (7), Rafael Jodar (14), Jakub Mensik (15) dhe Casper Ruud (17), sipas renditjes së ATP-së. Pesë prej tyre ishin pjesë e ekipit edhe në edicionin e kaluar.

Ndryshimi i vetëm është Rafael Jodar, i cili zë vendin e Holger Rune. Më shumë ndryshime ka në përbërjen e ekipit të “Pjesës tjetër të Botës”. Alex de Minaur (9), Taylor Fritz (10) dhe Fran Cerundolo (22) rikthehen nën drejtimin e Agassit. Ndërkohë, emrat e rinj janë Learner Tien (13), Brandon Nakashima (16) dhe Alexander Bublik (21).

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb