Demokratët Europianë kanë reaguar lidhur me protestën e zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë, e cila vijon prej 102 ditësh radhazi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demokratët Europianë shprehen të shqetësuar për tensionet e krijuara gjatë protestës, shoqërimet e qytetarëve dhe mënyrën e ndërhyrjes së policisë.
Sipas tyre, pamjet e publikuara nga protesta ngrenë pikëpyetje serioze mbi respektimin e standardeve demokratike dhe liritë themelore në Shqipëri.
“Dje, ndërsa protestat në Tiranë hynë në ditën e tyre të 101-të radhazi, imazhet që na arritën u bënë thellësisht shqetësuese. Ndalimet u rritën, reagimi i policisë dukej në mënyrë disproporcionale i ashpër dhe njerëz pa uniforma të dukshme u panë duke ndërhyrë, duke ngritur pyetje serioze nëse ata ishin oficerë policie apo individë që vepronin jashtë çdo zinxhiri të qartë llogaridhënieje”, thuhet në reagim.
Demokratët Europianë ngrenë shqetësime edhe për bllokimin dhe kufizimin e llogarive në mediat sociale të lidhura me protestat gjatë javës së kaluar, duke e konsideruar këtë një çështje që prek lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.
“Kjo vjen pas bllokimit dhe kufizimit të llogarive në mediat sociale të lidhura me protestat javën e kaluar, një shqetësim i mëtejshëm për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion”, vijon deklarata.
Në reagimin e tyre, Demokratët Europianë e lidhin situatën me standardet demokratike dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
“Nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria po përballet me një provë serioze të standardeve të saj demokratike. Një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet të forcojë sundimin e ligjit, të mbrojë liritë themelore dhe të garantojë të drejtën e mospajtimit, të protestës dhe të fjalës së lirë”, përfundon reagimi.
