TIRANE- Arrestimi i kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë për një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 si dhe ndalimi i trenit serb para se të hynte në Kosovë, që mbante parulla “Kosova është Serbi” duket se kanë sjellë një frymë të re tensioni mes dy vendeve, në luftë dikur. “Zjarrit” i ka fryrë sot edhe gazeta serbe ‘Blick’ e cila ka publikuar një dokument, sipas të cilit Ministra e Brendshme serbe bënte thirrje për mobilizim ushtarak.

E kur paqja duket kaq e brishtë, Tirana zyrtare ka një mesazh. Kreu i Shtetit, Bujar Nishani në pritjen e parë për vitin 2017-të me ambasadorët e akredituar në vend ka deklaruar se Serbia nuk mund të mbajë në fuqi masat e Millosheviçit.

“Mbajtja në fuqi nga Serbia e masave të Millosheviçit për Kosovën nuk i shërben frymës së pajtimit. Bllokimi i Kosovës në nivel rajonal dhe kombëtar bie ndesh me angazhimet e marra nga ata. Ne kërkojmë ecje përpara dhe jo kthim pas, në kohët e errëta kur regjimi i Millosheviçit aplikonte spastrim etnik”, – tha ai.

Më tej, Presidenti i Shqipërisë u shpreh se për ne është me rëndësi ruajtja konform standardeve ndërkombëtare e statusit të të gjithë bashkëkombësve tanë në rajon.

“Shqipëria kurrsesi nuk do mund të neglizhojë vëmendjen konform standardeve ndërkombëtare ndaj statusit të bashkëkombësve tanë në të gjitha vendet e rajonit. Respektimi i tyre është thelbësor”,- tha Nishani.

“Vitet e fundit rajoni i Balkanit ka bërë progres duke lënë pas të shkuarën konfliktuale, vendet kanë qenë të orientuara drejt pajtimit e bashkëpunimit, edhe ky progres duhet mbrojtur dhe promovuar më tej. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA ishte elementi substancial për paqen dhe pajtimin në rajon, Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht dhe pa rezerva”,- tha Nishani, i cili shtoi se “ngjarjet që minojnë këto situata nuk i shërbejnë aspak stabilitetit të gjithë rajonit”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb