Grigels Muçollari ka ironizuar argumentet e kryeministrit Edi Rama për pakënaqësinë e qytetarëve, duke i cilësuar ato si një teori që “fut shumë ujë”.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai kundërshton tezën e Ramës se rritja e pakënaqësisë vjen si pasojë e përmirësimit të kushteve të jetesës, duke argumentuar se shqiptarët protestojnë jo sepse kërkojnë më shumë luks, por sepse përballen çdo ditë me përkeqësim të kushteve ekonomike, infrastrukturës, shërbimeve publike dhe korrupsionit.
Reagimi
Teoria e Edi Ramës që fut shumë ujë
Justifikimet e Edi Ramës për pakënaqësinë e njerëzve bazohen në një ide të filozofit anglez Herbert Spencer: sa më shumë reduktohet e keqja, aq më shumë rritet pretendimi për të mirën.
Spencer merrte si shembull të drejtat e njeriut. Kur kategori të tëra të shoqërisë nuk gëzonin pothuajse asnjë të drejtë, kundërshtimi ishte më i dobët. Protestat dhe lëvizjet u shtuan pikërisht pasi u fituan më shumë të drejta. Njerëzit, pasi kishin fituar diçka, kërkonin më shumë.
Vetëm se në terrenin tonë kjo tezë nuk gjen vend.
Këtu të rinjtë nuk protestojnë sepse nuk blejnë dot shtëpinë e dytë, por sepse u duhen kursimet e 19 viteve punë për të blerë një banesë modeste.
Pensionistët nuk janë të pakënaqur sepse nuk shkuan dot këtë verë në Karaibe, por sepse nuk mbyllin dot muajin, nuk paguajnë dot faturat dhe ilaçet.
Justifikimet e Ramës nuk qëndrojnë, sepse në shumë fusha nuk kemi përmirësim që ka rritur pritshmëritë. Kemi përkeqësim.
Marrim rrugët. Njerëzit nuk ngrenë zërin sepse Shqipëria ende nuk përshkohet nga Korridori VIII apo Korridori i Kaltër. Ngrenë zërin sepse pas një sezoni shirash shemben akset kombëtare dhe izolohet juglindja. Pas 13 vitesh dhe miliardave të shpenzuara për infrastrukturën, njerëzit torturohen edhe më shumë në trafik.
Pra, nuk është se uji i pijshëm erdhi 23 orë në ditë dhe tani qytetarët nuk durojnë dot të rrinë një orë pa ujë. Në shumë zona ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë, ende nuk ka ujë të rrjedhshëm dhe të pijshëm 24 orë në rubinet.
Le të marrim korrupsionin, që Rama e sjell si shembull tipik të teorisë së tij. E paska luftuar ai, por njerëzit kërkuakan më shumë.
Si e luftoi?
Duke vënë 82 kartona në Kuvend për të mbrojtur Ballukun dhe për t’ia kthyer mbrapsht çështjen drejtësisë? Apo duke shpallur të pafajshme drejtoreshën e AKSHI-t me argumentin se ishte “e pastrehë”, ndërkohë që SPAK i zbuloi disa shtëpi dhe vila?
Argumenti i Ramës mund të qëndrojë vetëm për miqtë dhe oligarkët e tij. Ata janë më mirë se më parë dhe, në fakt, duan gjithmonë më shumë.
Për askënd tjetër nuk vlejnë këto dokrra.
Sepse kur rrugët bien, uji mungon, pensioni nuk mjafton dhe korrupsioni mbrohet me pushtet, pakënaqësia nuk është luks i një shoqërie që është bërë më mirë.
Është reagimi i një shoqërie që po paguan më shumë dhe po merr më pak.
