Vdekja tragjike e 30-vjeçares, Diena Karanxha bashkë me vajzën, Esiela dhe nënës së saj, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, shkaktoi dhimbje jo vetëm për familjen, por prekur zemrat e gjithë shqiptarëve. Tërmeti shkatërrimtar mori 3 breza që sot nuk jetojnë më, nënën, vajzën dhe mbesën.

Ajo që e bëri edhe më të dhimbshme historinë e Diena dhe Esiela Karanxhës ishte kërkesa e babait të 30-vjeçares tek një prej dyqaneve të Amarda Toskës. Ishte pikërisht babai i 30-vjeçares që ditën e mërkurë, pavarësisht dhimbjes dhe hallit, kishte shkuar në dyqan dhe kishte kërkuar dy fustane nusërie për të bijën dhe mbesën e ndjerë. Detajet tragjike i tregoi vet Amarda Toska, në një rrëfim të dhimbshëm për emisionin “Rudina” në tvKlan.

Teksa fliste për kërkesën e dhimbshme, Ami nuk mundi t’i mbante lotët.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të gjendesha në këtë situatë, duke qene se merremi vetëm me ditët e lumtura të njerëzve. Ditën e mërkurë pas asaj traumës që na ndodhi të gjithëve, ishte ora rreth 15:30 e drekës, kur më vjen një telefonatë nga vajzat e stafit të Durrësit dhe më thonë kishin një kërkesë për dy fustanet e nuseve për t’i blerë. Në fillim nuk po e kuptoja sepse edhe vajzat ma thanë pak ftohtë. Më thanë që “interesohet dikush për dy fustane nusesh”. Ngela për një moment se thashë; “kush është ai që po mendon për dasmë sot?!”. Kur më thotë, “Ami nuk janë klientë të zakonshëm, por bëhet fjalë për Dienën dhe vajzën e saj të ndjerë”. Në dyqan kishte ardhur i ati i Dienës. Pyetja nga gocat e stafit kishte qenë pa u e kuptuar “për çfarë dasme e doni, për kur interesoheni”. Dhe ai ishte shprehur që “unë i dua fustanet për Dienën dhe për vajzën e vogël, sepse ato do t’i varrosim me fustanet e dasmës”. Në ato momente, sigurisht që nuk kisha më fjalë. Porosia e të atit shkoi në vend, Ne i dërguam fustanet e nusërisë dhe sot mora lajmin që ato janë përcjellë për në banesën e fundit, të tri brezat të kësaj familje. Nëna, vajza dhe mbesa. Ermal ka qenë në zonat ku po jepet ndihma për banorët. Fati të çon aty ku mendja njerëzore nuk e pret. Siç erdhi dhe në gjumë ku mori 40 viktima. Ishte tragjedi.”, përfundoi Ami.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: