Kryeministri Edi Rama deklaroi se të gjitha banesat e reja, që do të ndërtohen pas tërmetit tronditës të 26 nëntorit, do të jenë anti-sizmike.

“Në zonat urbane, ku do zhvillojmë lagje banimi, pallatet të jenë shembullore nga pikëpamja e të gjithë parametrave, duke filluar nga antisizmika”, tha kryeministri, gjatë prezantimit të platformës online për qytetarët e prekur nga tërmeti.

Pjesë nga fjala e Ramës.
Shkallët e dëmtimit janë përcaktuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar. Në bazë të shkallës së dëmtimit, qytetarët do marrin një masë dëmshpërblimi. Ne nuk duam të lëmë vetëm askënd që është prekur nga tërmeti, pak apo shumë. Duhet të bëjmë një studim gjeologjik të terrenit, duhet të fillojmë që nga fillimi dhe pastaj të gjitha nivelet e tjera teknike të nevojshme, që duhen kapërcyer për të planifikuar dhe bërë masterplanet, e për të kaluar më tej te projekt-zbatimet. Në 60 ditë, nga tërmeti tragjik, ne kemi bërë një volum pune shembullor. Ne do bëjmë shtëpi, që do bëjmë diferencën me të shkuarën.

Nuk duam ta lëmë këtë krizë pa e shfrytëzuar në mundësinë që na jep, që në vend që të rindërtojmë në mënyrë të shpërndarë, siç është zhvilluar në mënyrë kaotike e të rëndomtë Shqipëria pas kalimit në procesin demokratik, por duam të krijojmë komunitete. Qytetarët e prekur, që sot jetojnë në çadër, do të marrin shtëpitë e tyre, në një pronë që nuk është e tyre, dhe nuk iu preket as prona që kishin. Ata nuk do të përfitojnë vetëm pronë, por nëse i kishin shtëpitë në distancë, ata do të afrohen, duke pasur edhe shërbimet pranë. Toka që kishin do të çlirohet nga shtëpia e rrënuar dhe do të mbetet toka e tyre. Pas kësaj është një punë e tërë që duhet bërë, për të identifikuar zonat, të mos shkojmë në zona private, që të na duhet të bëjmë blerje tokash apo shpronësime, por në toka shtetërore. Përtej aspektit të bazës ligjore dhe planifikimit, qëndron aspekti i garantimit të të gjithë parametrave të rindërtimit.

Ne do të garantojmë që parametrat e rindërtimit të jenë të padiskutueshëm, pra shtëpitë e reja të jenë antisizmike. Në zonat urbane, ku do zhvillojmë lagje banimi, pallatet të jenë shembullore nga pikëpamja e të gjithë parametrave, duke filluar nga antisizmika. Për këtë është zhvilluar një proces më vete nga një grup më vete. Shumë shpejt do të kemi modelet e zhvillimit, që do të thotë tipologjitë e shtëpive, që do të ndërtohen në shtëpitë rurale sipas frymëve dhe sipas volumeve të parashikuara për të garantuar një jetë më të mirë dhe banesat në shumë njësi, që do të ndërtohen në qytet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb