Përpjekjet e kërkim-shpëtimit në Kolumbi pas tërmetit shkatërrues të së hënës kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 265 persona. Më shumë se 3,500 të tjerë janë plagosur, ndërsa afro 500 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Ekipet e shpëtimit po i afrohen kufirit kritik prej 72 orësh nga momenti i tërmetit, periudhë gjatë së cilës shanset për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja konsiderohen më të larta.
Tërmeti me magnitudë 7.4 ishte më i fuqishmi që ka goditur Kolumbinë gjatë këtij shekulli. Sipas autoriteteve, më shumë se 9,550 banesa janë shkatërruar.
Qytetet më të prekura janë Pereira, në zemër të rajonit të kafesë, ku janë raportuar 83 viktima, dhe Cali, qyteti i tretë më i madh i vendit, me 74 viktima.
“Po hyjmë në fazën përfundimtare. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë të mbijetuar më pas, por është më e vështirë”, deklaroi kryebashkiaku i Kalit, Alejandro Eder.
Në zonat e goditura, ekipet e shpëtimit, ushtarët, zjarrfikësit dhe vullnetarët vijojnë punën mes rrënojave. Në kompleksin Torres del Limonar, në jug të Kalit, banorët janë organizuar në zinxhirë njerëzorë për të larguar me kova mbeturinat nga ndërtesat e shembura.
Sipas zyrtarëve të emergjencave, operacionet janë bërë më të organizuara pasi policia kufizoi numrin e vullnetarëve në zonat e kërkimit. Kjo ka reduktuar zhurmat dhe dridhjet, duke u mundësuar sensorëve të identifikojnë më lehtë lëvizjet e mundshme nën rrënoja.
Presidenti i ri i Kolumbisë, Abelardo de La Espriella, ka premtuar krijimin e një fondi emergjence për rindërtimin e spitaleve, shkollave, banesave dhe infrastrukturës së dëmtuar.
“Është padyshim një tragjedi me përmasa të jashtëzakonshme. Përpjekjet tona janë të përqendruara tek ata që mbeten të zhdukur”, deklaroi presidenti.
De La Espriella shpalli gjithashtu emergjencë ekonomike për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, pa dhënë ende detaje mbi masat konkrete që do të ndërmerren.
Tërmeti përbën edhe një test të rëndësishëm politik për presidentin e sapozgjedhur. Analisti Tiziano Breda, nga ACLED, e cilësoi katastrofën si “provën e parë” për De La Espriellën, i cili erdhi në pushtet me një platformë që premtonte uljen e shpenzimeve publike dhe forcimin e sigurisë.
Një prej pikave më të debatueshme të programit të tij ishte reduktimi i fondeve për njësinë shtetërore të menaxhimit të riskut, e cila tashmë ndodhet në qendër të operacionit gjigant të reagimit ndaj katastrofës.
