Zëvendësministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se brenda kësaj jave do të bëhet zëvendësimi i çadrave verore me ato dimërore, ku ndodhen familjarë të prekur nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit.

Duke folur për motin e keq, me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë, që përfshiu vendin këtë fundjavë, zv.ministrja tha se nuk raportohet për probleme te personat që janë në çadra.

“Brenda kësaj jave nuk do të ketë më asnjë çadër verore, në të gjithë territorin. Deri në këto momente nuk raportohen probleme evidente për personat që janë në çadra. Kemi marrë masa, shtabi i emergjencave është në terren për të parë cilat janë masat urgjente që duhen marrë pas rrebesheve të shiut”, tha zv.ministrja.

Sa do qëndrojnë në hotele?
Ne do ta festojmë së bashku Vitin e Ri, pastaj secili prej tyre do të vazhdojë jetën në shtëpitë e tyre. Pre kësaj jave që vjen, ata mund të tërheqin bonuesin e qirasë.

A ka përfunduar identifikimi i të gjitha objekteve?
Është një proces që vazhdon, por pjesa më e madhe ka mbaruar. Ka mbaruar identifikimi i një pjese shumë të madhe të objekteve që do të prishen. Është punë orësh çështja e vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen e tyre.

Mbledhja e qeverisë, Rama ka thënë që duhet të nisë sa më shpejt procesi i rindërtimit. Kur parashikohet të nisë?
Mbledhja po zhvillohet te një nga hotelet që akomodon 320 banorë aktualisht. Së shpejti do të nisin procedurat për rindërtim.

Sa është fondi i donacioneve të vendit dhe të huaja?
Donacionet vazhdojnë, shifra është progresive. Nuk kam një shifër, presim kalkulimet e javës që sapo mbaroi.

Si është situata në shkollat e prekura nga tërmeti?
Nxënësit janë akomoduar në shkollat më të afërta, që po punojnë me dy turne. Por, një pjesë e fëmijëve e kryejnë shkollën aty ku ndodhen, në hotele, nga klasa e parë në të pestë. Kemi shtuar transport në zonën e Golemit, që fëmijëve t’iu ofrohet mundësia për t’i dërguar në shkollat më të afërta. Në hotele janë krijuar ambiente për shkollën dhe kopshtet, ku mblidhen në një hotel të gjithë fëmijët që ndodhen afër tij. Psh. të gjithë fëmijët e klasës së parë janë organizuar me një mësues. Gjithashtu, në çdo hotel kemi ofruar mundësinë për të pasur një dhomë mjeku dhe një psikologu.

Vizita e Vuçiç në Durrës … ai foli për ndihmë, por për çfarë ndihme konkretisht?
Ne e mirëpresim çdo ndihmë. Situata në Durrës sot është e tillë ku edhe fëmijët tanë do të duhet të jepnin diçka. Secili prej atyre fëmijëve në Durrës kanë humbur gjithçka. Kështu që ndihma është ajo që presim nga të gjithë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb