TIRANE – Terroristët gjunjëzuan sot kryeqytetin e Europës, me një sërë sulmesh me bomba, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
Autoritetet shqiptare jane solidarizuar mbi ngjarjet e renda ne Bruksel dhe kane shprehur mesazhet e tyre.

NISHANI: KEQARDHJE PËR VIKTIMAT E SULMEVE NË BRUKSEL, DËNOJ ME FORCË AKTET BARBARE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Këshillin e Evropës dhe institucionet e tij, u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të organizatës, Thorbjørn Jagland. Nishani shprehu që në fillim keqardhjen për viktimat e sulmit terrorist të mëngjesit të sotëm në Bruksel, si dhe dënoi me forcë këto akte barbare, duke shprehur solidaritetin me popullin dhe autoritetet belge.

META: SULM NDAJ TË GJITHË EUROPËS DHE NJERËZIMIT
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi sulmin në Bruksel si sulm ndaj të gjithë Europës dhe njerëzimit. Zoti Meta shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

“Të vendosur së bashku të mbrojmë vlerat demokratike që na bashkojnë.”- theksoi Meta.

“Në solidaritet të plotë me Belgjikën dhe me të gjithë qytetarët e Brukselit. Terrorizmi nuk ka vend në Evropë. Shqipëria përkrah partnerëve tanë euro-atlantike për të ç’rrënjosur celulat terroriste. Sulmi ndaj Brukselit sulm ndaj gjithë Evropës dhe njerëzimit. Të vendosur së bashku të mbrojmë vlerat demokratike që na bashkojnë”- deklaroi Meta.

Kryeparlamentari Ilir Meta teksa uroi të gjithë besimtarët bektashinj për festën e sulltan Novruzit, deklaroi se është i tronditur nga aktet terroriste që kanë përfshirë ditën e sotme Brukselin. Teksa lëshoi mesazhe të forta, Meta theksoi se sot nuk është dita e frikës, por e shpresës dhe ringjalljes.

“Vizitova sot Kryegjyshatën Botërore dhe kryegjyshin e bektashinjve në këtë ditë shumë të rëndësishme. Të gjithë sot jemi tronditur nga aktet terroriste të ndodhura në zemër të Evropës dhe sot lutemi për shpirtin e viktimave dhe urojmë shërim më të shpejt të lënduarve. Jemi pranë popullit belg dhe gjithë qytetarëve të Europës, Kjo është një ditë e shenjtë, kjo nuk është dita e frikës, por e ripërtëritjes, ringjalljes, dita e shpresës, një ditë që na motivon më shumë për të ruajtur bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare që është pasuri e paçmuar për vendin tonë. Dhe njëherë u uroj gëzuar këtë ditë të shenjtë, të gjithë besimtarëve bektashinj.”, tha Meta.

RAMA: BOMBAT QË MBLEDHIN VDEKJEN, DO TA RINGRENË EUROPËN NË EMËER TË LIRISË
Kryeministri Edi Rama me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook” ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur në Bruksel. Sipas Ramës, pas bombave që mbjellin vdekjen në zemër të Europës, do të ringrejnë atë në emër të lirisë.
“Bombat që mbjellin vdekje për të pafajshmit në zemrën e Europës do ta ringrenë Europën për ta fituar në emër të lirisë këtë lufte të re!”, citohet në mesazhin e Ramës.

BASHA: SULMET NË BRUKSEL, DËSHMI E URREJTJES SË PAFE USHQEN TERRORIN
Kryeopozitari Lulzim Basha është solidarizuar për ngjarjet e renda qe kane ndodhura në Bruksel, nga sulmet e ekstremisteve te ISIS ku humbën jetën 34 persona. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Basha dënoi aktet terroriste. “Aktet terroriste sot në kryeqytetin e Europes morën dhjetra jetë të pafajshme. Ato janë dëshmi e urrejtjes se verbër çnjerëzore e te pafe qe ushqen dhe motivon terrorin. Ngushëllime familjeve qe humben te dashurit e tyre. Partia Demokratike solidarizohet me popullin dhe autoritetet belge dhe europiane ne këto momente te vështira.”, citohet në mesazhin e Bashës.

GJOSHA: EUROPA E BASHKUAR, S’MUND TË GJUNJËZOHET NGA SULMET NË ZEMËR TË SAJ
Ministria e Integrimit, Klajda Gjosha ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Bruksel, ku pas një sulmi terrorist humbën jetën 34 persona si dhe u plagosën dhjetra të tjerë. Ministrja është solidarizuar me qytetarët e Brukselit, Gjosha theksoi se Europa nuk mund të gjunjëzohet.

“Jam e tronditur, nga terrori që përjetoi sot Brukseli, kryeqyteti i Bashkimit Europian. E përjetova dhimbjen mes shumë telefonatave me njerëz të njohur e kolegë pune atje. Sot, na duhet të jemi më të fortë! EUROPA E BASHKUAR, nuk mund të gjunjëzohet nga sulmet në zemër të saj! Duke ndarë dhimbjen me dhjetra familje që kanë humbur të afërmit e tyre, duke shprehur solidaritet të plotë ndaj shtetit Belg, duke dënuar ashpër këto akte të rënda terroriste, besoj fort dhe do vazhdoj të besoj, se vlerat europiane do të tregojnë EPËRSINË e tyre mbi këto sulme që marrin jetë njerëzish!!”, pohohet në mesazhin e Gjoshën.
KODHELI: NGUSHËLLIME POPULLIT TË BELGJIKËS, KËTIJ ALEATI TË PADISKUTUESHËM TË SHQIPËRISË

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dënoi sulmet terroriste në Bruksel ndërsa i shprehu ngushëllime popullit të Belgjikës.

“Një tjetër ditë terrori në zemër të Evropës, në Brukselin që mirëpret institucionet simbol të demokracisë dhe sigurisë. Ngushëllime popullit të Belgjikës, këtij aleati të padiskutueshëm të Shqipërisë”, shkruan Kodheli në “Facebook”.

SALI BERISHA: SULME BARBARE TERRORISTE NE BRUKSEL!
Te dashur miq, sot Brukseli, kryeqyteti i Mbreterise se Belgjikes dhe kryeqendra administrative e Bashkimit Europian dhe NATO-s, njeherazi dhe qyteti me i hapur dhe me i lire i Europes perjetoi nje mengjes te zi sulmesh barbare terroriste ne aeroportin dhe lagjet e tij, ne te cilat u vrane mizorisht mbi 27 qytetare te pafajshem dhe u plagosen rreth 90 te tjere.

Duke denuar me ashpersine me te madhe keto akte mizore terroriste, shprehim ngushesllimet tona me te thella familjeve te viktimave, autoriteteve zyrtare belge dhe urojme per te plagosurit sherim te shpejte.

Shpreh bindjen time gjithashtu se keto sulme mizore nuk do perkulin dot flamurin e Mbreterise se Belgjikes dhe se organizatoret, sponsorizuesit e tyre do marrin ndeshkimin e merituar! sb

PDIU: TERRORIZMI NUK KA KOMBËSI, POR VETËM NJË NGJYRË: ZINË E NJERËZIMIT!
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që përfshihu mëngjesin e sotëm Brukselin. PDIU shprehu solidaritet për qytetarët e Brukselit. “Terrorizmi goditi sot zemrën e Evropës. PDIU gjendet në krah të banorëve të Brukselit dhe mbarë botës së qytetëruar në këto çaste të vështira. Terrorizmi nuk ka kombësi, fe apo ideale, ka vetëm një ngjyrë: zinë e njerëzimit!”, citohet në mesazhin e PDIU-së.

KRESHNIK COLLAKU: BESIMI TE VLERAT E LIRISE, PERGJIGJA NDAJ TERRORIZMIT
Shefi për politikën e jashtme në PD, Kreshnik Collaku u shpreh sot se, sulmi në Bruksel është sulm ndaj Perëndimit.

“Sulmi i sotem ne Bruksel eshte sulm ndaj Evropes eshte sulm ndaj Perendimit, sulm ndaj vlerave te lirise. Si cdo sulm terrorist, objektivi nuk eshte ushtarak. Synimi i terrorizmit eshte krijimi i panikut, percarjes, urrejtjes. Synimi eshte dobesimi i Evropes dhe qyteterimit perendimor,duke shkaterruar themelet e parimet e tij.
Ne keto momente te veshtira eshte pikerisht ky synim qe nuk duhet te lejuar te fitoje. Te bashkuar ndaj vlerave te lirise,bashkejeteses fetare dhe kulturore Besimi te keto vlera..eshte pergjigja me e mire ndaj terrorizmit dhe frymzuesve te tij”.

KRYETARJA E KOMISIONIT PËR POLITIKËN E JASHTME, ARTA DADE REAGON PAS NGJARJEVE TERRORISTE NË BRUKSEL‏
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade, ka reaguar pas ngjarjeve terroriste në Bruksel ditën e sotme. Duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, Dade këto janë akte terroriste çnjerëzore.

“Komisioni për Politikë të Jashtme bashkohet me ngushëllimet e autoriteteve shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare për familjarët e viktimave që humbën jetën në aktet terroriste në Bruksel mëngjesin e datës 22 Mars e urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit.

Qendra e Europës e kryeqyteti i Belgjikës u trondit nga aktet çnjerëzore terroriste të komanduar prej ISIS, që vijnë pas goditjeve që vetë ISIS ka marrë nga koalicioni i shteteve kundër terrorit.

Ne jemi pranë Qeverisë e parlamentit belg, si edhe shprehim solidaritet të palëkundur për Parlamentin Europian e Komisionin Europian në kapërcimin e këtij momenti të vështirë”, thuhet në këtë reagim.

Ndërkaq, Komisioni për Politikën e Jashtme shprehet në mbështetje të angazhimit të Shqipërisë si pjesë e politikave të sigurisë së përbashkët të BE, por edhe si vend anëtar i NATO-s në luftën kundër terrorit. “Do vazhdojmë të punojmë së bashku me aktorët vendas ,rajonalë e euroatlantikë për të garantuar më shumë siguri në vend, në rajon e në Europë”.

(er.nu/ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: