Analisti Fatos Lubonja vlerëson se protesta qytetare ka krijuar tashmë dinamikat e saj të brendshme, duke ruajtur si pikë të përbashkët kërkesën unanime për dorëheqjen e qeverisë, por njëkohësisht duke u përballur me përplasje për përfaqësimin dhe drejtimin e lëvizjes.
Sipas tij, në lëvizje të tilla heterogjene është e natyrshme që, krahas qëllimit të përbashkët, të shfaqen edhe prirje të grupeve të ndryshme për të marrë drejtimin. Lubonja solli si shembull historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe Konferencën e Pezës, duke argumentuar se lufta për pushtet brenda një fronti të përbashkët mund të çojë në përjashtimin e zërave ndryshe.
Ai tha se nuk është kundër organizimit të një Kuvendi të protestës, por theksoi se ai duhet të synojë përfaqësimin e të gjitha grupeve dhe jo dominimin e njërës palë mbi tjetrën.
“Në një protestë me grupime me ideologji dhe ndjeshmëri të ndryshme, disa të fokusuar te ekologjia, të tjerë te shteti social apo tregu i lirë, të gjithë duhet të përfaqësohen. Kur krijohet një luftë se kush dominon, lind edhe ideja e përjashtimit, dhe unë jam kundër kësaj,” u shpreh Lubonja.
Ai shtoi se shumë pjesëmarrës ndihen të papërfaqësuar, por vazhdojnë të marrin pjesë në protestë sepse i bashkon objektivi kryesor, largimi i qeverisë së Edi Ramës.
Duke bërë një paralelizëm historik me Revolucionin Francez, Lubonja tha se pas arritjes së objektivit kryesor mund të nisë gara për pushtet brenda vetë lëvizjes.
“Këtu ‘prerja e kokës së mbretit’ do të thotë largimi i Edi Ramës. Më pas fillon lufta për pushtet brenda lëvizjes, derisa një grup del më i fortë. Prandaj duhen krijuar grupe interesi dhe përfaqësim edhe jashtë Tiranës,” tha ai.
Lubonja u ndal edhe te projektet e qeverisë, duke kritikuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për “Paketën e Maleve”.
“Kur Rama thotë se Paketa e Maleve do ta bëjë Shqipërinë një Zvicër, i them të shkojë të shohë jugun se si e ka bërë. Do të bëjë në male atë që ka bërë në bregdet. Mjafton të shohim Golemin, jugun apo Darëzezën,” deklaroi ai.
“Rama kur thotë që Paketa e Maleve do ta bëjë Shqipërinë një Zvicër i them shko shiko jugun si e ke bërë, për të kuptuar se çfarë Zvicre synon. Do të bësh në male atë që ke bërë në bregdet. Mjafton të shohim Golemin dhe jugun, Darëzezën sepse ikemi parë në “Albanian Files”. Do që ta japë atë natyrë të bukur, prona publike dhe private t’ia japë krimit të organizuar për të ndërtuar shëmtira, me firmat e disa arkitektevë”
Sipas Lubonjës, qeveria synon t’ua kalojë pasuritë natyrore dhe pronat publike e private interesave të lidhura me krimin e organizuar për zhvillime që, sipas tij, dëmtojnë mjedisin.
Në fund, ai akuzoi kryeministrin se përdor strategji përçarëse ndaj protestës.
“Rama ka me vete drejtësinë, policinë dhe krimin e organizuar, duke krijuar një shtet plaçkitësish. Ai përdor metoda përçarjeje, i amplifikon konfliktet dhe përpiqet ta paraqesë protestën si një pakicë. Se sa të drejtë ka protesta, këtë duhet ta tregojë drejtësia,” përfundoi Lubonja.
