TIRANË- Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Tritan Shehu ka dalë sot para mediave për ti ofruar mjekëve dhe infermierëve solidaritet dhe mbështetje, para vendimin të qeverisë për testimin e tyre. Shehu tha se në vend që të reflektojë qeverisja ngulmon në rrugën e saj duke thelluar përplasjet me personelin e sistemit shëndetësor. Sipas Shehut qeveria po tregohet e shurdhër qoftë edhe për të dëgjuar mendimet e Urdhrit të Infermierëve dhe Mjekëve, Komisionit Parlamentar, Avokatit të Popullit etj.

“Dëshiroj të përshëndes sot Urdhrin e Infermiereve për paraqitjen e kundërshtimit në Gjykatën Administrative të vendimit qeveritar për të ashtuquajturin “testim”. Së dyti, përshëndesim solidaritetin e plotë të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve, laborantëve etj, të demonstruar këto javë për të ndaluar këtë projekt të paligjshëm e diskriminues ndaj atyre vetë. Por fatkeqësisht, qeverisja në vend që të reflektojë dhe tërhiqet nga vendime të tilla të rrezikshme, ngulmon në rrugën e saj duke thelluar përplasjet me personelin e sistemit shëndetësor. Ajo po tregohet e shurdhër qoftë edhe për të dëgjuar mendimet e Urdhrave, Komisionit Parlamentar, Avokatit të Popullit etj.
Në këtë mënyrë po kërkohet që artificialisht të krijohen konflikte të panevojshme mjekë-pacientë, për të fshehur përgjegjësitë për problemet e mëdha dhe reale të atij sistemi, që kjo qeveri veçse po i shton e zgjeron çdo ditë. Kërkohet kështu që nëpërmjet këtij “testimi” arbitrar të hidhet mbi personelin shëndetësor përgjegjësia për atë çfarë po ndodh me të gjithë përbërësit e shëndetësisë shqiptare. Po tentohet nga ana tjetër që ky personel të mbahet i heshtur dhe i terrorizuar, si dhe që vendet e punës të rindahen sipas vullneteve politike e klienteliste. Në këto kushte anormale, ne dëshirojmë të sigurojmë të gjithë ata që po përballen e ndeshen me padrejtësi të tilla të pashembullta, për solidaritetin e mbështetjen tonë të plotë. Mbështetja jonë nuk do t’u mungojë atyre në të gjitha hapat e mëtejshme që ata do të ndërmarrin në kundërvënien ndaj arbitraritetit dhe në mbrojtjen e një mjedisi demokratik”, ka deklaruar Shehu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: