Pas xhiron që bënë në “Dalara”, Inter rikthehet në “San Siro” dhe siguron një fitore të madhe 2-1 përballë Lazio, një sukses me shumë peshë që i rikthen zikaltërit në krye të Serie A dhe pse me një ndeshje më pak se rivalët kuqezi. Simone Inzaghi përballë të kaluarës së tij del si triumfator duke vërtetuar se janë ata ekipi për tu mundur.

Lautaro Martinez gjeti golin e avantazhit që në minutën e 17-të por VAR i ndërpreu festën duke e kapur në pozicion jashtë loje. Në të 30-të, Bastoni me një goditje potente nga jashtë zone bëri që tifozët zikaltër të shpërthenin në festë. Pesë minuta më pas, Ciro Immobile iu përgjigje me gol personal duke rikthyer baraspeshën. Në pjesën e dytë ishte Skrinar që me një goditje të bukur me kokë mposhti për herë të dytë Strakosha duke i dhuruar Inter fitoren.

Në përfundim të ndeshje, Simone Inzaghi nuk fshihet por pranon se janë ata favoritë, të paktën kështu thonë shifrat: “Në 20 tetor këtë gjë e dëgjoja shumë rrallë ndërsa tani më shumë, kjo është meritë e djemve që kanë fituar tetë ndeshje radhazi. Është normale që të flitet në këtë mënyrë, për ne duhet të jetë stimul për tu përmirësuar akoma më shumë”, theksoi trajneri i Inter.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb