Menaxhimi i skemës së sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, risitë, paketat shëndetësore, lista e barnave dhe problematikat e ndeshura ndër vite kanë qenë në qendër të takimit të deputetëve të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale me përfaqësues të lartë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Në kuadër të #TetoritRozë, Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, deputetët e këtij Komisioni kanë zhvilluar sot një takim pune në ambjentet e Fondit.

Deputetët janë njohur me fushat kryesore të financimit sa i takon shërbimeve shëndetësore sipas niveleve të kujdesit shëndetësor, një përmbledhje e detajuar mbi financimin e dhënësve të shërbimit parësor dhe spitalor; paketave shëndetësore spitalore; të listës së barnave të rimbursuara dhe problematikave shoqëruese; financimin e shërbimeve sipas kontratave të konçensionit etj.

Një vend të veçantë në prezantim patën sëmundjet tumorale, mbulimi shëndetësor me barna dhe ekzaminime mjekësore, paketat shëndetësore që përfitohen; shpenzimet e rimbursimit për këtë kategori të sëmurësh, duke reflektuar kështu prioritetin në politikat shëndetësore që zbatohen nga skema e detyrueshme e sigurimit shëndetësor.

Gjatë takimit, deputetët kanë shprehur vlerësimin për punën dhe arritjet e #FSDKSH ndër vite si dhe kanë shtruar për diskutim me specialistët e Fondit, çështje dhe problematika të ndryshme të shprehura, duke i hapur rrugë kështu një ure bashkëpunimi për të rritur akoma më shumë cilësinë e shërbimit shëndetësor në të ardhmen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb